30.01.2018
TRYEZË E RRUMBULLAKËT – “ROLI I GRAVE NË NDËRTIMIN E PAQES NË NIVEL LOKAL DUHET TË FUQIZOHET” – 29 & 30 janar 2018 – Partesh & Kllokot
Ngjarjet
Komunikatë për shtyp
Janar 30, 2018 – Më 29 dhe 30 janar 2018, Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (LRG EJL), i përbërë nga përfaqësues nga 7 vende të rajonit, në partneritet të ngushtë dhe me mbështetje financiare nga UN Women dhe Qeveria Suedeze, mbajti takime me gratë nga komunat e Parteshit dhe Kllokotit dhe komunat tjera të Kosovës për të diskutuar fuqizimin e grave dhe pjesëmarrjen në ndërtimin e paqes në nivel lokal. Qëllimi i Konferencës është përfshirja e grave nga komunitetet e ndryshme të Kosovës në dialogun ndëretnik dhe proceset e paqes në përputhje me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të avancuar axhendën e grave, paqes dhe sigurisë me fokus në komunat multietnike të Parteshit dhe Kllokotit.
Me pjesëmarrjen e anëtarëve të Komitetit Drejtues të LRG EJL; kryesueses EditaTahirin nga Kosova, Gordana Sobol nga Kroacia, Irina Pockova nga Maqedonia, dhe Nuna Zvicdić nga Bosnja dhe Hercegovina, të cilat i ndanë perspektivat e tyre rajonale në këtë temë të rëndësishme, gratë pjesëmarrëse zhvilluan një debat energjik dhe kreativ lidhur me analizimin e problemeve dhe sfidave për pjesëmarrjen e grave në proceset e ndërtimit të paqes. Ato diskutuan se si t’i bashkojnë përpjekjet për të rritur rolin e grave në ndërtimin e paqes dhe në proceset evropiane të integrimit të komunave dhe theksuan se gratë në nivel lokal janë akterë të rëndësishëm të ndryshimit, të cilët duhet të gëzojnë përkrahje më të madhe nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Disa nga temat e diskutimit ishin se si gratë mund të përfshihen më shumë në ndërtimin e paqes dhe qeverisjen në nivel lokal, situata aktuale, motivet dhe pengesat për pjesëmarrjen e grave në këto procese përkatëse dhe si bashkëpunimi dhe rrjetëzimi me gratë në nivel kombëtar dhe rajonal mund të ndikojë në fuqizimin e grave në nivel lokal. Përveç kësaj, pjesëmarrësit në takim diskutuan rolin e grave të vendit në procesin e integrimit në BE, si dhe rolin e grave në zbatimin e marrëveshjeve të paqes, gjegjësisht Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur me ndihmën e BE-së.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrëset theksuan se ndërtimi i paqes ka më shumë gjasa të ketë sukses kur përfshin më shumë gra në nivel lokal dhe faktin se përpjekjet gjithëpërfshirëse për ndërtimin e paqes janë vendimtare për suksesin e ndërtimit të përgjithshëm të paqes. Ato theksuan nevojën për avancimin e pjesëmarrjes së grave në qeveritë lokale në mënyrë që qeverisja komunale të mos jetë vetëm një biznes i burrave, pasi që gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë dhe kapaciteti dhe përfshirja e tyre mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të përditshme të komunitetit, siç janë çështjet e arsimit, punësimit, transportit, dhe sigurisë ndër të tjera. Pjesëmarrëset gjithashtu adresuan rolin vendimtar të grave në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe integrimin evropian të komunave në Kosovë. Pjesëmarrëset theksuan rëndësinë e përpjekjeve bashkëpunuese për të kërkuar zgjidhje të përbashkëta për të çuar përpara rolin e grave në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në nivel komunal, kombëtar dhe rajonal. Ato gjithashtu theksuan rëndësinë që zërat e tyre të dëgjohen nga qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, pasi siç cekën ato, nevojat e tyre shpesh janë injoruar apo keqkuptuar.
Përveç grave politikane, anëtarëve të parlamenteve, qeverive, anëtarëve të Komitetit Drejtues të LRG EJL, në takim morën pjesë edhe kryetarë të komunave, përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, aktiviste të shoqërisë civile, lidere lokale, si dhe anëtare të kuvendit të grave dhe gra përfaqësuese të shoqërisë civile të këtyre komunave dhe komunave të Novo Bërdës, Graçanicës dhe Shtërpcës, ku ishin mbajtur takime të ngjashme nga LRG EJL më 2015 dhe 2016.
Anëtarët e LRG EJL shprehën falënderimet e tyre të përzemërta për organizatën UN Women dhe shefen e zyrës për Kosovë, znj. Flora Macula, si dhe për Qeverinë Suedeze, partnerët e tyre strategjik, për mbështetjen e tyre të vlefshme, bashkëpunimin dhe bujarinë e treguar përgjatë rrugëtimit të LRG EJL për fuqizimin e grave.
Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (LRG EJL) përfaqëson një model të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal në ndërtimin e paqes që mund të përdoret si një model për proceset e paqes në rajonet tjera të botës. Ky lob mbështet ndërtimin e paqes, demokracisë, drejtësisë, sigurisë dhe pajtimit të qëndrueshëm në vendet e pas konfliktit; respektimin e vlerave të ndryshme kulturore; dhe krijimin e një të ardhme të re për rajonin.
Anëtaret e Lobit Rajonal të Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi nëEvropën Juglindore (LRG EJL):
Shqipëri: Eglantina Gjermeni, Marieta Zaçe, Majlinda Bregu
Bosnjë dhe Hercegovinë: Memnuna Zvizdić, Nada Tesanović, Lidija Živanović, Ismeta Dervoz
Kroaci: Gordana Sobol, Morana Paliković Gruden, Lovorka Marinović
Kosovë: EditaTahiri, Teuta Sahatqija, LuljetaVuniqi
Maqedoni: Irina Pockova, Teuta Arifi, SavkaTodorovska
Mal i Zi: Nada Drobnjak, Slavica Striković, Ljubomirka Mira Asović
Serbi: Sonja Biserko, NatasaMičić, Liljana Radovanović, Stasa Zajović