Kryesuesja

Lobi Rajonal i Grave (LRG) për paqe, siguri dhe drejtësi në Evropën juglindore (EJL) përbëhet nga gra lidere në politikë dhe shoqëri civile nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

LRG është i përkushtuar drejt fuqizimit të grave dhe përfshirjes së perspektivave gjinore në të gjitha politikat dhe aktivitetet në rajon. Qëllimi i LRG-së është që të përforcojë pozitën e grave në proceset e demokratizimit dhe rimëkëmbjes pas konfliktit, duke avansuar kësisoj drejtësinë dhe pajtimin. LRG mbetet i përkushtuar ndaj sigurimit të një paqeje dhe drejtësie të qëndrueshme përmes procesit të integrimit evropian të tërë rajonit.

LRG u themelua gjatë një takimi në Zagreb, në korrik të vitit 2006, të thirrur nga UNIFEM-i, dhe sipas kërkesës të një grupi grash politikane nga rajoni. Gratë ishin takuar për herë të parë më herët, në vitin 2005, në një takim joformal në Dubrovnik. Gjatë takimit të Zagrebit këto lidere këmbyen informata dhe zhvilluan dialog mbi situatat politike në vendet e tyre dhe në rajon nga këndvështrimi gjinor.

Duke e kuptuar se sigurimi i paqes së qëndrueshme varet nga arritja e sigurisë për të gjitha kombet e EJL-së, LRG mëton të promovojë një definim të sigurisë që është i fokusuar tek njerëzit, e i cili i tejkalon të gjitha nocionet tradicionale të sigurisë shtetërore që kanë si fokus fuqinë ushtarake. Tani fokusi do duhej të jetë tek individët dhe mirëqenia e grave dhe burrave.

Anëtaret e LRG janë të përkushtuara në luftimin e të gjitha formave të dhunës, përfshirë këtu dhunën në baza gjinore, si dhe të gjitha formave të ekstremizmit politik e fetar që nënvlerësojnë kulturën e të drejtave të njeriut, sigurisë njerëzore dhe paqes.

Pjesëmarrja në LRG bazohet në respekt të ndërsjellë për diversitetin dhe të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë njerëzve, bazohet në aderim ndaj mosdhunës, mosdiskriminimit, dhe respektimit të normave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe standardeve ligjore përkatëse.

Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe konventat e instrumentet tjera ndërkombëtare kërkojnë nga shtetet palë që të sigurojnë përfaqësim të shtuar të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në parandalim, menaxhim dhe zgjidhje të konflikteve. Gjatë luftës dhe në kohën pas kryerjes së saj, gratë nga Evropa juglindore nuk kanë gëzuar mbrojtje nga dhuna në baza gjinore, përfshirë këtu edhe dhunimin. Sidoqoftë, gratë edhe sot vazhdojnë të mos jenë të pranishme në proceset zyrtare paqebërëse.

LRG, i themeluar si grup me reputacion i angazhuar në analiza politike dhe avokim të nivelit të lartë, shërben si platformë për ngritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje politike dhe ngritjen e nivelit të ndikimit në të njëjtat, duke kontribuar kësisoj në implementimin e Rezolutës 1325.

Për të përmbushur misionin e vet, LRG mobilizon përkrahje dhe hyn në partneritete në nivel rajonal dhe global me akterë të ndryshëm, përfshirë:

  • Mediat progresive (kombëtare, rajonale dhe globale);
  • Lideret dhe liderët në politikë që dëshmojnë përkushtim për kauzën e LRG;
  • Rrjetet paqësore të grave dhe të të rinjve;
  • Akterët në fushën e sigurisë, përfshirë policinë dhe ushtrinë e vendeve, si dhe akterët rajonalë si forcat paqeruajtëse të NATO-s, BE-së dhe OKB-së;
  • Grupeve të mendimtarëve, grupeve të ekspertëve të fokusuara në të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë dhe dialogun ndëretnik.



Objektivat afatgjata të LRG-së janë:

  • Përkrahja për thellimin e të drejtave të njeriut, sigurinë njerëzore, vlerat dhe parimet demokratike, si dhe avancim i realizimit të plotë të të drejtave të grave si standarde për paqe dhe siguri në Evropën juglindore.
  • Tejkalimi i barrierave të shkaktuara nga mosbesimi dhe politikat etnocentrike dhe promovimi i të kuptuarit më të mirë mes grupeve të ndryshme kombëtare të EJL-së, si strategji për të shtuar paqen dhe sigurinë në aspekt afatgjatë.



Objektivat e menjëhershme të LRG-së janë:

  • Krijimi i një forumi vibrant rajonal të grave lidere, për të këmbyer informata dhe përvoja sa i përket situatës politike në vendet e tyre dhe në rajon;
  • Përkrahje shtimit të mirëbesimit dhe bashkëpunimit mes komunitetit serb dhe shqiptar në Kosovë, si dhe mes Kosovës dhe të gjithë fqinjëve të saj;
  • Shtimi i angazhimit të grave nga të gjitha grupet etnike në dialog politike dhe avokim;
  • Shtimi i angazhimit të grave në bisedime politike, drejtësi tranzicionale dhe pajtim.



Mes veprimeve prioritare janë edhe:

  • Angazhimi në analiza dhe diskutim të zhvillimeve të caktuara politike për të arritur konsensus dhe qëndrim të përbashkët për çështje kyçe;
  • Lëshimi i deklaratave të përbashkëta, përpilimi dhe shpërndarja e qëndrimeve politike mbi çështje të sigurisë dhe politikës, nga këndvështrimi gjinor;
  • Implementimi i planit vjetor të punës, avokimit dhe aktiviteteve të ndryshme në vendet anëtare dhe në rajon;
  • Sajimi i strategjisë së komunikimit me strategjisë mediale.