Rreth LRGEJL
Lobi Rajonal i Grave të Evropës Juglindore (LRG EJL) është organizatë rajonale e grave, që punon në përkrahjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në proceset e paqes, sigurisë dhe drejtësisë. Ai synon të ndihmojë në ndërtimin e së ardhmes demokratike, prosperuese dhe Evro-Atlantike për të gjitha vendet dhe të gjithë rajonin duke fuqizuar kapitalin njerëzor përmes integrimit të grave në nivelet vendim-marrëse, barabartë me burrat.
Ne jemi gra që besojnë që duhet të punohet për paqe – paqe që bazohet në vlerat e demokracisë, drejtësisë, sigurisë dhe pajtimit. Të drejtuar nga këto vlera, ne kemi themeluar LRG EJL-në në vitin 2006, si rrjedhojë e tragjedive dhe luftërave që kanë ndodhur në Ballkan gjatë viteve 1989-1999.
LRG EJL demonstron se si, edhe në kontekstin e vështirë të pas luftës, gratë udhëheqëse të vendeve Ballkanike kanë pasur sukses në ndërtimin e agjendës së përbashkët që fokusohet më shumë në të ardhmen sesa në të kaluarën. Në thelb të agjendës sonë është fuqizimi i grave në proceset vendim-marrëse dhe paqësore, meqë ne besojmë se gratë përfaqësojnë vlerë strategjike ku duhet investuar për përmirësimin e paqes, demokracisë dhe zhvillimit në mbarë botën.
Sot, LRG EJL është organizatë unike rajonale e grave e cila, në partneritet dhe me përkrahjen e UN Women, udhëheq aktivitetet për lobim dhe avokim në përkrahje të fuqizimit të grave. Përmes punëtorive, konferencave ndërkombëtare, dialogut ndër-etnik dhe forumeve, ai promovon rritjen e rolit të grave për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe në secilin vend ku është e përfaqësuar. Lobi bashkon gra spikatura nga politika dhe shoqëria civile nga shtatë vende, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.
Në pothuajse një dekadë të angazhimit të madh, organizata jonë është bërë si zë vizionar i grave në rajon. Ne besojmë që është e domosdoshme që të punohet më shumë për paqe, drejtësi dhe siguri, duke kundërshtuar etnocentrizmin dhe të gjitha format tjera të radikalizmit që ende janë të përhapura. Ne zhvillojmë dialogun politik dhe etnik duke përdorur proceset Evropiane dhe praktikat më të mira për të avancuar proceset demokratike dhe zhvillimin në të gjitha shtetet në rajon, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit Evropian për secilin nga to.
Ne i kemi tejkaluar kontradiktat e së kaluarës duke u ballafaquar me paradokset që qëndrojnë në rrugën që gratë të bëhen akterë të barabartë me burrat në ndërtimin e botës më të mirë. Në veçanti, synimi jonë është që të njihemi si ndërtuese të paqes dhe demokracisë që besojnë fuqishëm që nuk mund të ketë paqe pa drejtësi dhe demokraci pa gra, për secilin komb që jeton në paqe dhe në barazi, krah për krah në rajon dhe përtej.
Është koha për barazi në fillim të shekullit 21. Ne apelojmë për fuqizim të qëndrueshëm të grave përmes përvetësimit të vlerave demokratike dhe parandalimit të tradicionalizmit, mizogjinisë dhe diskriminimit në formësimin e politikave të barazisë gjinore. Ne gjithashtu theksojmë që gratë nuk duhet përkrahur vetëm si kuota apo numra, por duhen përkrahur për shkak të cilësisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm me të cilin mund të investojnë për një botë më të mirë. Në të njëjtën kohë, është në duar të shteteve dhe shoqërive që të investojnë shumë më shumë në zhvillimin dhe perspektivat e grave në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë politikën, ekonominë, sigurinë, akademinë, organizatat e shoqërisë civile e kështu me radhë.
Ne konsiderojmë që debati për fuqizimin e grave duhet ri-konceptualizuar duke marrë në konsideratë gratë si ndryshuese të lojës dhe faktorë në ndryshimit demokratik dhe proceset paqësore. Duhet t’i mendojmë sërish strategjitë që të kenë agjendat për gratë në thelb të agjendave kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
LRG EJL-ja paraqet model të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal në ndërtimin e paqes që mund të përdoret si model për proceset paqësore në rajone tjera të botës. Ai avokon për paqe dhe pajtim të drejtë në vendet pas konfliktit dhe përkrahë drejtësinë ndërkombëtare për gratë viktima të dhunës seksuale në luftë, respektimin e vlerave të ndryshme kulturore dhe krijimin e të ardhmes së re për rajonin.
LRG EJL-ja gëzon përkrahjen e shumë partnerëve ndërkombëtarë duke përfshirë UN Women, si partner strategjik, Qeverinë e Suedisë dhe Ambasadën e saj në Kosovë, Qeverinë e Finlandës dhe Ambasadën e saj në Kosovë, UNDP-në dhe përkrahjen e pritur nga Qeveria e Norvegjisë dhe Ambasada e saj në Kosovë. Sidoqoftë, resurset tona financiare mbesin paksa modeste në krahasim me përkushtimin dhe kapacitetet tona për të dhënë më shumë nga misioni jonë.
Shembulli frymëzues i LRG EJL-së, dhe asaj se si gratë mund të bashkëpunojnë përtej kufijve me agjendë të përbashkët, do të paraqitet në një libër që së shpejti do të botohet nga UNDP-ja.
Në fund, do të doja të theksoj që puna jonë mund të avancojë më tej me rritjen e përkrahjes nga donatorët ndërkombëtarë. Prandaj i ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare, në veçanti BE-në dhe OKB-në, për të përkrahur misionin e LRG EJL-së.