19.10.2012
KONFERENCA E TRETË NDËRKOMBËTARE E LRG EJL – “Gratë në ndërtimin e paqes: qasja e grave në drejtësi në vendet pas luftës” – Zagreb, Kroaci – 18-19 Tetor 2012
Ngjarjet
Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (LRG PSD) mbajti Konferencën Rajonale dhe Takimin Vjetor më 18-19 tetor në Zagreb, Kroaci.
LRG PSD përbëhet nga gra liderë të politikës dhe të shoqërisë civile të 7 vendeve të rajonit: Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Mbi 100 pjesëmarrës nga vendet rajonale dhe të Bashkimit Evropian ishin pjesëmarrëse në këtë Konferencë, përfshirë Zëvendës Ministra, Ministra, Anëtarë Parlamenti dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Kjo Konferencë u mbajt me mbështetjen financiare të Zyrës Rajonale të Grave të BE-së, nën udhëheqjen e Presidentit të Kroacisë, Z. Ivo Josipovic, i cili edhe e hapi këtë Konferencë, dhe Qeverisë së Kroacisë.
Temat kryesore të diskutuara këtu ishin: implementimi i Rezolutës 1325të Këshillit të Sigurisë së KB-ve në rajon, proceset e integrimit evropian, korrupsioni dhe krimi, dhe qasja në drejtësi e të mbijetuarave të dhunës seksuale kundër grave në luftë.
Pjesëmarrëset kanë miratuar Deklaratën e Përbashkët të Konferencës, duke theksuar rekomandimet kryesore që kërkojnë:
- Krijimin e një platforme të përbashkët për përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe drejtësi tranzicionale të grave në vendet pas konfliktit;
- Implementimin e reformave në sistemet e drejtësisë në vendet e Evropës Juglindore, të cilat do të kontribuonin në vetëdijesimin gjinor, në pajtim me angazhimet që dalin nga instrumentet ndërkombëtare dhe rajonale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat garantojnë mbrojtjen efektive të grave në gjykata;
- Përmirësimin e harmonizimit me standardet e BE-së, sa i përket pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje dhe ndërtim paqe në Evropën Jug-Lindore;
- Identifikimin e aktiviteteve/hapave për rritjen e rolit të grave në përmirësimin e “qeverisjes së mirë” dhe sundimit të ligjit, përmes shuarjes së incidenteve negative (korrupsioni, krimi) dhe mbështetjes së sigurisë dhe stabilitet në rajon;
- Përmirësimin e bashkëpunimit në mes të grave liderë nga sektori i qeverisjes dhe ai civil në rajon, në lidhje me drejtësinë tranzicionale gjinore të ndjeshme dhe drejtësinë më të qasshme për gratë;
- Shkëmbimin e informatave dhe shembujve të praktikës së mirë sa i përket implementimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurisë së KB-ve në vendet e Evropës Juglindore.
Rëndësia e kësaj konference është shënuar si tregues “se për një sërë çështjesh me të cilat merren gratë që nga fillimi i luftës në zonën tonë dhe në rajon, ekziston vullneti politik dhe interesimi politik për këtë temë” (Maja Mamula, Koordinim, Qendra e Grave për Të Drejta Gjinore) dhe po ashtu si dëshmi e ‘bashkëpunimit në mes të grave në sektorin civil dhe grave në nivelin politik” (Andrea Zlatar, Ministër i Kulturës, Republika e Kroacisë).
- Elizabeth Rehn, Ministre e Shtetit të Finlandës dhe Anëtare e Bordit Këshillues të LRG PSD komentoi se si ‘është e rëndësishme që njerëzit që përfaqësojnë të njëjtin rajon, mirëpo që vijnë prej vendeve të ndryshme, të bisedojnë për kultura pak më të ndryshme me njëri-tjetrin….çdo diskutim për këto pyetje qenësore e zhvillon vetë këtë çështje”.
Gjatë paneleve konstruktive dhe diskutimeve të hapura, pjesëmarrësit adresuan progresin e arritur në rajon, mësimet e mësuara dhe problemet e mbetura. Pjesëmarrësit kanë diskutuar sfidat e tanishme në rajon sa i përket [pjesëmarrjes së grave në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor në Evropën Juglindore, si dhe identifikuan mundësitë për përmirësim, mbështetje dhe zgjidhje afatgjatë për disa prej këtyre sfidave.
Kjo Konferencë ishte mjaft e suksesshme, ashtu siç u theksua edhe nga shumë prej të pranishmëve të shquar. Znj. Teuta Arifi, Zëvendës Kryeministre e Maqedonisë dhe anëtare e LRG PSD, tha se “dinamika e këtyre takimeve dhe aktiviteteve ndihmon në ndërtimin e një rajoni të përbashkët, i cili do të jetë pjesë e barabartë e Bashkimit Evropian”. Kjo Konferencë jo vetëm që mundësoi bashkëpunimin, si një çelës për stabilitet dhe paqe në rajon, mirëpo edhe kontribuoi në fuqizimin dhe rritjen e dukshmërisë së LRG PSD.
Rezultatet kryesore të kësaj konference përfshijnë:
- Angazhimin e Ministrit kroat për Veteranë të Luftës që të paraqesë legjislacionin brenda një viti, në mënyrë që të adresojë situatën e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale dhe tortura gjatë luftës, duke premtuar kështu prekjen e kësaj teme që aq gjatë është neglizhuar, më mënyrë që të plotësohen nevojat e këtyre grave dhe të shmanget traumatizimi i mëtejshëm i tyre;
- Krijimi i rrjeteve në mes të grave të rajonit;
- Vendimi për temën e konferencës së ardhshme: Korrupsioni dhe Krimi i Organizuar, dhe ndikimi i këtyre në jetën e grave të këtij rajoni.