12.12.2011
Takimi Strategjik në Stamboll – Stamboll, Turqi – 08-11 Dhjetor 2011
Ngjarjet
9-10 Dhjetor, 2011, Stamboll, Turqi Lobi Rajonal i Grave për Paqe Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (LRG EJL) mbajti Takimin Strategjik të Komitetit Drejtues te LRG-së në Stamboll prej 8 deri më 11 dhjetor 2011. Temat qendrore të këtij takimi ishin: gjendja e sigurisë në rajon, fuqizimi i grave në proceset e integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimi strategjik i Lobit Rajonal të Grave. Në takim morën pjesë anëtaret e Këshillit Drejtues të shtatë vendeve të rajonit, Edita Tahiri nga Kosova, Gordana Sobol nga Kroacia,.Sonja Biserko nga Serbia, Marieta Zaqe nga Shqipëria, Slavica Strikovic nga Mali i Zi, Memnuna Zvizdic nga Bosna e Hercegovina dhe Irina Pockova nga Maqedonia. Në takim ishin prezent edhe përfaqësuesit nga UNWomen, Flora Macula dhe Edwin Berry.
Takimin e hapi Kryesuesja e Lobit të Grave të Rajonit, znj. Edita Tahiri, Zëvendëskryeministre e Kosovës, ku bëri një vlerësim të lartë për veprimtarinë e Lobit të Grave të Rajonit si një organizatë e fuqishme në mision të fuqizimit të grave për paqe, siguri dhe drejtësi në frymën e Rezolutës 1325 të KS të OKB-së. Ajo po ashtu theksoi sfidat që janë para kësaj organizate dhe uroi që takimi i Stambollit të kontribuoj në zhvillimin e mëtejmë strategjik të LRG-së.
Gjatë debatit konstruktiv për çështjet e agjendës së këtij takimi, të moderuar nga znj. Flora Macula, Këshilltare per Qeverisje dhe Paqe ne UNWomen, anëtaret e Këshillit Drejtues dhanë kontribut të çmuar përmes identifikimit të sfidave dhe mundësive për zgjidhje të drejta dhe afatgjate. Janë diskutuar çështjet e konteksteve vendore dhe përkrahja e grave për bashkëpunim në mes të shtatë vendeve të rajonit. Gjithashtu janë diskutuar angazhimet e grave për disa çështje si përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, konsolidimi i shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe përmirësimi i situatës shumë-etnike në Maqedonia. Pjesëmarrëset janë pajtuar se ekziston nevoja e rritjes së numrit të grave në pozita vendim-marrëse dhe fuqizimin e pozitës së gruas në proceset e paqes dhe sigurisë në tërë rajonin.
Komiteti Drejtues i LRG-së shprehu falënderimet e veçanta Organizatës UN Women për përkrahjen e vazhdueshme për Lobin Rajonal të Grave.Në njërën prej seancave, përfaqësueset e LRG-së dhe të UN Women diskutuan për publikimin e UNDP-së për veprimtarinë e LRG-së me përfaqësueset e UNDP-së prezente ne takim, Tracy Gough dhe Jocelyne Talbot.
Pas debatit konstruktiv dhe frymëzues midis pjesëmarrseve, ato dolën me deklaratë të përbashkët.
Për RWL: Diana Çekaj – Berisha
Koordinatore