GRATË NË RAJON – KU JEMI SOT? – nga Gordana Sobol Download

Artikujt, Lajmet

Femrat përbëjnë më shumë se gjysmën e banorëve të botës, megjithatë ato natyrisht se nuk e përbëjnë edhe gjysmën e fuqisë politike, ekonomike shoqërore ose ndonjë fuqie tjetër. Ky është thjeshtë një fakt që e dimë të gjithë, i cili në njëfarë mënyrë nënkuptohet dhe me të cilin ka shumë vite që ballafaqohemi – në nivelin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Në ketë kontekst dhe shikuar në retrospektivë, që prej miratimit të deklaratës së OKB-së në Pekin në vitin 1995, mund të themi se janë bërë ndryshime të mëdha, veçanërisht në rrafshin deklarativ dhe legjislativ, por prapëseprapë jemi shumë larg nga arritja e një barazie të vërtetë gjinore dhe një shoqërie të vërtetë demokratike. Megjithatë, të gjithëve na duket se kohëve të fundit vërejmë disa tendenca të caktuara të stagnimit, të cilat mund të shihen nga disa aspekte, para së gjithash në kontekst të krizës globale, si në ekonomi ashtu edhe në ristrukturim dhe rebalancim të pozitave politike në nivelin global. Gjërat po zhvillohen me shpejtësi, pothuaj vetëtimthi, në “fshatin e sotëm global” dhe duket se ne femrat sërish po e humbim ngadalë hapin, po na humb fuqia.  

        Do përpiqemi të analizojmë ketë çështje përmes shembullit të Kroacisë, ku lirisht mund të themi se kemi një kornizë mjaft të zhvilluar, pothuaj mbresëlënëse, ligjore dhe institucionale në planin e barazisë gjinore. Tashmë kemi edhe Ligjin e dytë për barazinë gjinore, Ligjin për luftimin e diskriminimit, si dhe Ligjin e dytë për mbrojtjen nga dhuna në familje, politikën e katërt kombëtare për barazinë gjinore, strategjinë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, programin kombëtar të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut si dhe një varg aktesh të tjera ligjore dhe nënligjore që mund të aplikohen në fushën e barazisë gjinore. Përveç kësaj, është krijuar edhe një sistem i institucioneve shtetërore që kanë për qëllim krijimin dhe aplikimin e mekanizmave ligjorë për barazi gjinore në të gjitha nivelet si dhe në të gjitha segmentet e shoqërisë, e natyrisht jemi të obliguar që të zbatojmë edhe një numër konventash dhe obligimesh ndërkombëtare të cilat i kemi nënshkruar. Thënë shkurt, ne nuk mund të ankohemi se në Kroaci nuk është krijuar një strukturë dhe makineri e vërtetë gjinore, funksioni parësor i të cilës është që të zbatojë politika të vetëdijesimit gjinor. 

Çka është po ashtu me rëndësi, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, disa aspekte të rëndësishme të politikave gjinore janë përfshirë në programin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë, çka paraqet një sukses të madh i cili para se gjithash është rezultat i punës intensive të fraksioneve të bashkuara të grave të partive të koalicionit, të cilat kanë krijuar koalicionin e vet të grave që të mbështesin integrimin e politikave gjinore në programet parazgjedhore, e rrjedhimisht edhe në ato paszgjedhore. Dhe kemi pasur sukses.

Në nivelin rajonal – gjendja është e njëjtë kur bëhet fjalë për kornizën ligjore dhe institucionale – agjencitë, avokatët, politikat, ligjet, strategjitë – pak a shumë funksionojnë.

Megjithatë, çka po ndodh tani? Pse vazhdojmë të mos përjetojmë akoma barazinë gjinore në tërë rajonin? Përgjigja para së gjithash qëndron në faktin se ende nuk ka (sa duhet) femra në organet më të rëndësishme vendimmarrëse, siç janë parlamenti, kuvendet e qyteteve dhe qarqeve, në funksione udhëheqëse politike, në pozita drejtorësh dhe udhëheqësish e të ngjashme… dhe se edhe përkundër ndryshimeve të rëndësishme programore akoma ndodh, për shembull, që numri i grave në parlamentin kroat të stagnoi. Në fillim të viteve 1990 rreth 5% të deputetëve në parlament kanë qenë gra, para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare vitin e kaluar kanë qenë 25% (kryesisht duke ju falënderuar zëvendësimeve), ndërsa gjendja pas zgjedhjeve ishte dukshëm më e keqe – vetëm 19,8% femra u zgjodhën në mënyrë të drejtpërdrejtë në parlament, ndërsa sot gjendja paksa është përmirësuar, 24% e deputetëve që ulen në parlament janë femra, sërish duke ju falënderuar zëvendësimeve sepse kolegët e tyre meshkuj kanë shkuar kryesisht në postet ministrore ose në pozita të tjera në pushtetin ekzekutiv. 

Në rastin e Kroacisë, por edhe në aspektin rajonal, vërehet një stagnim i numrit të grave në pozitat udhëheqëse në dhjetë vitet e fundit; bëhet fjalë për një ndryshim prej vetëm 1-2% në numrin e femrave të zgjedhura, që d.m.th se nuk ka ndonjë zhvillim aq të madh. 

Duke pasur parasysh tërë ketë nuk është çudi që gratë po heqin dorë dhe po interesohen gjithnjë e më pak që të merren me politikë, meqenëse krejt gjërat e mira që janë shkruar dhe për të cilat kemi luftuar aq shumë gjatë viteve të kaluara (kuotat janë inkorporuar dhe përcaktuar edhe me ligj) mbeten vetëm të shkruara në letër, veçanërisht kur vijmë tek momenti kyç – d.m.th, kur përcaktohet se kush do të jetë në listat e kandidatëve dhe në cilat pozita?! Një prej përgjigjeve për ketë problem qëndron në faktin se rregullimi i hierarkisë së brendshme të partive politike edhe më tutje është në duart e meshkujve dhe shpesh paraqet pengesë për pjesëmarrje më të madhe të grave, e cila në mënyrë të veçantë reflektohet në pozitën e tyre në listat zgjedhore. Përveç kësaj, ndoshta gratë nuk e gjejnë veten aq mirë në kurthet apo konkurrencën brendapartiake ose thjeshtë nuk kanë forcë që të luftojnë edhe në ketë plan dhe që të dëshmohen në një rreth që tradicionalisht ka qenë pak a shumë mashkullor. Prandaj ato janë më të prira që të merren me aktivizmin joformal, joqeveritar dhe qytetar ku vijnë më shumë në shprehje teknikat e tyre siç janë bisedimet, avokimet, rrjetëzimi e të tjera.  

Problemi është vetëm se a mund të vazhdojmë edhe më tej kështu? A jemi lodhur nga stagnimi dhe qëndrimi në vend? A mund të ndryshojmë diçka në qasjet tona? A mund të iniciojmë bisedime apo marrëveshje të reja, ndryshim të strategjive kur është fjala për të tërhequr dhe sjell gra të reja të cilat duam t’i shohim si pjesë të procesit, e të cilat sot nuk janë sa duhet të interesuara? Si të arrijmë që çështja e barazisë gjinore të futet në sferën e tyre të interesit? Personalisht e mbështes fillimin e një dialogu të ri në mes të politikaneve, OJQ-ve, por edhe përfaqësuesve të institucioneve si dhe brenda partive politike. Duhet të ndryshojmë diçka sepse më duket se paksa jemi “vënë në gjumë” nga ligjet e fuqishme, politikat, agjencitë dhe strategjitë; sikur kemi besuar të gjitha së bashku se vetëm me miratimin e tyre gjërat do të fillojnë të zhvillohen vetvetiu në drejtimin që ne dëshirojmë. E sot po e shohim se nuk është kështu.

Prandaj do të jetë interesante të shihet, pikërisht në shembullin e Kroacisë, se sa do të kemi sukses të realizojmë qëllimet tona, të cilat ja kemi dal t’i inkorporojmë edhe në vet programin e Qeverisë së sapozgjedhur socialdemokrate, dhe a do të ndihmoj realizimi i tyre në fuqizimin me të madh të grave, veçanërisht kur është fjala për të fituar dhe marr më shumë përgjegjësi në nivele të ndryshme. Mendoj se në të ardhmen kjo do të dëshmohet vendimtare, veçanërisht kur kemi parasysh faktin se kah mesi i vitit të ardhshëm Kroacia do të bëhet pjesë përbërëse e Evropës, e atje, kur është fjala për gratë dhe pozitën e tyre, asgjë nuk është “kopsht me lule” dhe kur padyshim do të na duhet të luftojmë për të ruajtur nivelin e të drejtave që i kemi sot. Dhe rezultati i kësaj lufte, në aspektin rajonal, do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Për LRG-në: 

Gordana Sobol, Anëtare e Komitetit Drejtues të LRG-së 

Kryesuese e Komisionit për Mandate dhe Imunitet, Parlamenti i Kroacisë

Postimet e ngjajshme