Komunikatë për media – Ministrja Tahiri: Fuqizimi i grave është i pandalshëm

Komunikatë për media

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri e cila njëkohësisht është dhe kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore (LRGEJL)  ka marrë pjesë në Konferencën rajonale të organizuar nga Lobi Rajonal i Grave dhe UNWomen me temën “ Roli i grave kryetare komunash në rajon si faktor për ndryshime” të mbajtur në Tetovë më 7- 8 nëntor 2016. Kjo Konferencë është përkrahur edhe nga ambasada norvegjeze në Prishtinë. Pjesëmarrës të konferencës ishin ministre, kryetare të komunave nga vendet e rajonit, anëtaret e LRGEJL-së dhe pjesëmarrës ndërkombëtarë që angazhohen për fuqizimin e grave, ambasadat norvegjeze dhe suedeze në Kosovë si dhe UNDP-ja.
Ministrja Edita Tahiri në fjalën e saj tha se fuqizimi i grave është i pandalshëm dhe se shekulli njëzetë e një do të shquhet si epokë e fuqizimit të grave.

“Pozita e grave në vendet tona dhe në nivelin global është shumë më e mirë sesa ka qenë më parë, mirëpo ne ende nuk jemi atje ku synojmë, pra të jemi të barabarta me burrat në vendimmarrjen politike, ekonomike si dhe në udhëheqjen e proceseve paqësore. Agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë e OKB-së është një udhërrëfyes i mirë por duhet bërë shumë për zbatimin e saj, sepse gratë janë një vlerë strategjike dhe të gatshme për të luajtur rolin që ju takon. Ne duhet të kemi më shumë pjesëmarrje të grave në vendimmarrje dhe se kuota që e kemi për pjesëmarrjen e grave në parlamentet tona duhet të zbatohet edhe për pjesëmarrjen e grave në qeverisje si në nivelin nacional ashtu dhe ndërkombëtar”, tha  ministrja Tahiri.

Ministrja Tahiri shtoi se vlerëson lartë rolin e grave kryetare të komunave të cilat po tregohen vizionare dhe të vendosura për të bërë ndryshime në qytetet që i udhëheqin, sepse  duhen qytete të evropianizuara ku qytetarët gëzojnë kushte për jetesë më të mirë dhe ku shërbimet dhe infrastruktura do të lehtësojnë jetën e grave. Ministrja Tahiri propozoi që kryetaret e komunave të Ballkanit Perëndimor të krijojnë rrjetin e tyre në bazë të modelit të Lobit Rajonal të Grave dhe ofroi mbështetjen e Lobit për këtë qëllim. Ajo tha se bashkëpunimi rajonal jo vetëm që ndihmon në këmbimin e përvojave por edhe në shpejtimin e reformave për integrimin evropian dhe euroatlantik.

Postimet e ngjajshme