Numrat nuk mjaftojnë Download

Artikujt, Lajmet

Një gjeneratë e re e artisteve dhe sportisteve kosovare është duke e prezantuar shtetin e Kosovës në mënyrë të mrekullueshme – sukseset e tyre janë pjesë e skenave globale, na bëjnë të lumtur, na japin shpresë dhe i tregojnë botës për ne.
Ato janë imazhi ynë ideal.

Ka disa vite që diskursi rreth përkeqësimit të imazhit të Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë saj, sa vjen e bëhet më i theksuar. Kjo ndodh sidomos në rastet kur publikohen raporte ndërkombëtare, të cilat analizojnë dhe faktojnë çështje nga fusha të ndryshme të jetës në Kosovë, duke ia sjellë kështu në vëmendjen e opinionit publik problemet të cilat e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës si shtet. Brengosëse janë edhe vërejtjet e shpeshta dhe kërkesat e vazhdueshme të institucioneve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për përmirësimin e imazhit.

Mirëpo, përpjekjet e institucioneve tona për t’u kundërpërgjigjur dhe përmirësuar këtë imazh të dëmtuar janë stihike dhe joproporcionale. Ato shpesh përcillen me mungesë të profesionalizmit dhe përkushtimit, që le të kuptohet se nuk merren seriozisht me të. Ndryshe nuk ka si të kuptohen reagimet e lidershipit tonë ndaj analizave kritike që janë të pafavorshme për vendin, duke i cilësuar ato si “perceptime”, apo në rastin më të keq si “dashakeqësi”, respektivisht, “pasojë e dëmtimit të qëllimshëm të imazhit të vendit tonë nga shoqëria civile në Kosovë”.

Nevoja për përmirësimin e imazhit të Kosovës potencohet atëherë kur diskutohet tërheqja e investimeve të huaja dhe privatizimi i aseteve publike si PTK dhe KEK, si dhe kur adresohet nevoja e luftimit të korrupsionit dhe zhvillimi i mëtejshëm demokratik, ekonomik, etj.

Një aspekt që nuk zë shumë hapësirë në diskursin publik dhe institucional sa i përket imazhit të Kosovës është pozita e grave në shoqërinë e Kosovës në përgjithësi, dhe i grave në vendimmarrje, në veçanti. Ciniku kujdestar do te thoshte: “Çka po doni më shumë ju gratë, tash e keni një grua Presidente, 30 për qind të grave në Parlament, dy zëvendëskryeministre, ministre, etj”. Gjithsesi kjo është arritje dhe përparim, ndonëse i kufizuar, siç thuhet edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën për vitin 2011. Këto suksese kanë kontribuar në përmirësimin real të imazhit të Kosovës në rajon dhe botë (mund vetëm të paramendojmë se çfarë imazhi do të kishim pa to), por ky numër i grave në vendimmarrje nuk mjafton që të themi se kemi bërë shumë për përmirësimin e pozitës së grave në Kosovë dhe kështu kemi arritur shkallë të lartë të barazisë gjinore.

Vetë habia e konsiderueshme e kolegeve tona nga rajoni me faktin se Kosova – një vend i vogël, i varfër, dhe me pak traditë demokratike, por me traditë të gjatë patriarkale krahasuar me shumë vende në rajon dhe botë – zgjodhi një grua për Presidente, tregon se ky vend megjithatë ka pësuar ndryshime dhe ka shënuar zhvillime pozitive për sa i përket pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike. Por, vështirë se mund t’i bindim, aq më pak t’i impresionojmë, vendet në rajon dhe botë, se gratë në Kosovë janë pjesë përbërëse dhe e barabartë e dinamikave më të rëndësishme në procesin e demokratizimit dhe zhvillimit të brendshëm të vendit.

Formulimi i përmendur shpesh, sipas të cilit, për ta ndërtuar një imazh pozitiv për Kosovën duhet të japim prova se jemi në rrugë të mbarë drejt demokratizimit të vendit, mbetet vetëm një floskulë e cila është bërë një fjalë parazite dhe xhoker për t’u nxjerrë nga pozitat e vështira në retorikën ditore. Për fat të keq, jemi bindur se me fjalë të mëdha e të bukura, të cilat zakonisht e kanë efektin e mjegullimit të realitetit, nuk mund ta injorojmë, apo maskojmë, realitetin, i cili pasqyron deficitin demokratik në shumë fusha të jetës, ku gratë mungojnë dhe janë të padukshme.

Duhet kuptuar se imazhin e Kosovës e dëmton rëndë mungesa e fuqizimit dhe vëmendjes për gratë në pushtetin lokal, në institucionet dhe administratën lokale, asamble, si dhe për gratë në zona të thella të cilat nuk e ndjejnë realisht se janë bërë ndryshime të cilat në mënyrë të prekshme e përmirësojnë jetën e tyre.

Përderisa gratë në Kosovë ende nuk kanë qasje të barabartë në arsim, shërbime dhe përkujdesje kualitative shëndetësore; vazhdojnë të jenë kategoria më e varfër dhe më e papunësuar; janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje dhe trafikimit; nëse gratë e veja të cilat i kanë humbur burrat e tyre në luftë dhe janë kryefamiljare, së bashku me gratë e dhunuara gjatë luftës, ende s’janë kategori juridike dhe nuk njihen nga legjislacioni aktual – Kosova ende mbetet një vend me shkëlqim të përkohshëm dhe nuk e reflekton gjithë realitetin e tij, i cili duket i zymtë dhe me shumë pak perspektivë, jo vetëm për gratë.

Për imazhin e dëmtuar të Kosovës, përpos institucioneve tona, lidershipit aktual dhe atij të kaluar, përgjegjësi kanë edhe misionet dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë. Ato bartin një pjesë të përgjegjësisë, së paku për faktin se në asnjë rast nuk kanë dhënë shembuj konkretë në institucionet e tyre sesi gratë duhet të jenë pjesë e institucioneve të tyre – jo si numra, por edhe si udhëheqëse dhe vendimmarrëse.

Nëse nisemi që nga misioni parë, ai i UNMIK-ut, i cili për shume vite qeverisi Kosovën, e pastaj mbërrijmë te i fundit, EULEX-i, me keqardhje konstatohet se nuk pati asnjë grua në krye të këtyre misioneve. Me shembullin e dominimit të burrave në pozitat vendimmarrëse të misioneve dhe institucioneve të tyre, ato treguan se edhe në rrafshin global subordinimi i grave është praktikë e zakonshme. Prandaj, krahas kërkesës që Kosova të përkujdeset më shumë për përmirësimin e imazhit, këto misione do të kishin dhënë ndihmë shumë të madhe sikur vetë të shndërroheshin në shembuj pozitivë në këtë aspekt.

Është më se e qartë se institucionet kosovare duhet të merren më seriozisht me përmirësimin e imazhit  të Kosovës, duke hartuar strategji dhe politika të cilat janë gjithëpërfshirëse, integruese, me perspektivë të qartë gjinore, si dhe duke i funksionalizuar mekanizmat institucionalë të cilët sigurojnë zbatimin e tyre në praktikë. Jam e sigurt se imazhi i Kosovës do të përmirësohej dukshëm nëse grave do t’iu njihej kontributi dhe sakrifica e tyre madhore në krijimin dhe zhvillimin e këtij shteti. Rrjedhimisht, në të ardhmen ato patjetër duhet të jenë pjesëmarrëse kruciale të të gjitha proceseve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, jo në rolin e numrave, por si bashkëkrijuese të politikave dhe vendimeve të rëndësishme për vendin. Vetëm kjo do ta mundësonte trajtimin dhe pasqyrimin e tyre korrekt, të denjë, pa paragjykime dhe pa stereotipe.

Imazhi ndërkombëtar i Kosovës do të përmirësohet nëse institucionet dhe shoqëria në të ardhmen do të kujdesen për promovimin dhe mbështetjen e grave artiste si Blerta Zeqiri, Rona Nishliu, Rina Bilurdagu, apo sportisteve si Majlinda Kelmendi, dhe plot grave dhe vajzave të reja me shumë potencial në të gjitha fushat e jetës.

Këto kosovare me forcat e veta i kanë tejkaluar kufijtë kombëtarë, duke e prezantuar shtetin tonë në skenat më të rëndësishme botërore. Sukseset e tyre na bëjnë të lumtur, na japin shpresë dhe i tregojnë botës për ne.

Ato janë imazhi ynë ideal.

Luljeta Vuniqi,
Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore & Anetare e LRGsë

Postimet e ngjajshme