Edita Tahiri po qëndron në Argjentinë, merr pjesë në konferencën për fuqizimin e grave

Angazhimet ndërkombëtare, Lajmet

Artikulli është origjinalisht i publikuar në: Epoka e re

Ish-ministrja për Dialog dhe kryetarja e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore (RWLSEE), Edita Tahiri, po qëndron në Argjentinë, ku po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të ministreve të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve që mbahet në Buenos Aires, me temën për fuqizimin e grave dhe ndërlidhjen me zhvillimin e qëndrueshëm të botës.

Pjesëmarrës në këtë konferencë janë gratë lidere, ministre dhe përfaqësuese të shoqërisë civile nga të gjitha vendet e këtij rajoni.

Konferenca kryesohet nga ministrja e Argjentinës, Carolina Stanley, dhe ministrja e Urugait, Mariella Mazzoti.

Fokusi qendror i kësaj konference ndërkombëtare është prezantimi ideve dhe rekomandimeve për sesionin e 63-të të Komisionit për Statusin e Grave që pritet të mbahet në mars të vitit 2019, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Gjatë tri ditëve të punës intensive është shfaqur një potencial i mendimeve të grave për atë se si synimet botërore për zhvillim të qëndrueshëm nuk mund të realizohen pa një përfshirje të plotë të grave në të gjitha rrjedhat progresive, dhe pa një barazi të plotë gjinore.

Kryetarja e Lobit Rajonal, Edita Tahiri, është pjesë e delegacionit që përfaqëson Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë konferencë ndërkombëtare, të nominuara nga UNWomen për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Në një deklaratë dhënë gazetës “Epoka e re”, Edita Tahiri ka theksuar se pjesëmarrja e saj në këtë konferencë krijojë mundësi për këmbimin e përvojave nga të dy anët e brigjeve të Atlantikut, dhe ishte një rast i mirë për t’i njoftuar me rolin historik që gratë e Kosovës luajtën në proceset e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, si dhe për proceset e shtetndërtimit dhe paqendërtimit.

Ajo po ashtu foli për misionin dhe rezultatet e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, si organizatë rajonale e grave lidere nga politika dhe shoqëria civile nga shtatë vendet e Ballkanit perëndimor, duke thënë se Lobi ka bashkuar gratë që besojnë tek fuqia e grave për të ndërtuar paqen, zhvillimin dhe integrimet euroatlantike për të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor.

“Puna jonë tash 12 vjet, e mbështetur nga UNWomen, ka dhënë rezultate mjaft të mëdha dhe ne po dëshmojmë se sa më shumë gra që angazhohen dhe fuqizohen aq më shumë paqe dhe prosperitet do të kemi në botë”, ka thënë ajo.

Në kuadër të punimeve të kësaj konference, Edita Tahiri ka zhvilluar një varg takimesh me pjesëmarrëset e konferencës, ku veçoi takimin me lideren e shquar argjentinase, Dr. Mabel Bianco, e cila udhëheq rrjetin rajonal të organizatave joqeveritare të Amerikës Latine dhe Karaibeve si dhe ministren Argjentinase për çështjet e grave, Fabiana Tunez, me të cilat Tahiri ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit rreth qëllimeve të përbashkëta për fuqizimin e rolit të grave për një ardhmëri më të mirë në botë.

“Mendoj se nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm në botë pa përfshirjen e plotë të grave. Gratë janë një kapital strategjik, janë gjysma e popullatës dhe janë të gatshme dhe të dijshme të kontribuojnë për ta transformuar botën drejt progresit dhe paqes”, ka thënë ish-ministrja Edita Tahiri.

Postimet e ngjajshme