14.06.2018
TRYEZË E RRUMBULLAKËT – 14 Qershor 2018 – Budva, Mali i Zi
Ngjarjet
Komunikatë për Media
Gratë duhet të kenë rol më të madh në ndërtimin e paqes dhe integrimin evropian
(Budvë, 14 qershor 2018): Në konferencën rajonale mbi pjesëmarrjen e grave në ndërtimin e paqes dhe integrimin evropian, gratë politikane, deputete, përfaqësuese të shoqërisë civile nga vendet e rajonit, dhe përfaqësuesit e UN Women bën thirrje për një rol më të madh të grave në proceset e paqes dhe integrimit evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Konferenca u organizua nga Njësia e Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women) dhe Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (RWLSEE), e mbajtur në Budvë të Malit të Zi më 14 qershor 2018.
Kjo konferencë për ndërtimin e paqes mblodhi gra përfaqësuese të nivelit të lartë nga politika, parlamentet dhe shoqëria civile, gra këto të përfshira aktivisht në promovimin e Agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria. Ato vinin nga shtatë vendet anëtare të RWLSEE: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, IRJ e Maqedonisë, Kosova, Mal i Zi dhe Serbia.
Të pranishmet u përqendruan në gjetjen e mënyrave për të krijuar një paqendërtim të qëndrueshëm, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u siguruar gjithashtu që gratë të luajnë një rol qendror në këto procese të rëndësishme për një të ardhme paqësore të rajonit, që pati një të kaluar të trazuar. Panelistët theksuan se vlerat dhe kontributet e grave në proceset e paqes njihen si në aspektin akademik ashtu edhe atë dhe praktik, prandaj ato nuk duhet të lihen anash, por përkundrazi ato duhet të marrin role të barabarta me burrat në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe evropiane në vendet e tyre. Edita Tahiri, kryetare e RWLSEE, nga Kosova tha se “Fuqizimi i grave në proceset e paqes dhe vendimmarrjes mund të rezultojë në paqe dhe stabilitet më të mirë dhe do të përshpejtonte integrimin evropian të të gjitha vendeve të rajonit tonë. Ne, gratë, duhet të marrim përgjegjësitë tona për të ardhmen në mënyrë të barabartë me burrat. Ne duhet të bëhemi pjesë e tavolinave të bisedimeve mbi paqen në të cilat vendoset e ardhmja dhe të mos lejojmë që të tjerët të vendosin për ne”. Rëndësi e veçantë i është kushtua dialogut të paqes dhe zbatimit të marrëveshjeve të paqes, veçanërisht Dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve dhe ato kërkuan një marrëveshje përfundimtare që do të siguronte paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie paqësore fqinjësore, duke hapur kështu një epokë të re të paqes dhe duke i dhënë fund armiqësive. Maria Obradoviç, deputete nga Serbia tha se “Rajoni ka nevojë për një paqe të qëndrueshme, prandaj iniciativat dhe dialogu që nxit marrëveshje të paqes duhet të mbështeten. Megjithatë, duhet të ketë pjesëmarrje më të madhe të grave në bisedime për paqe, pjesëmarrje kjo që në të kaluarën ka munguar”. Për rëndësinë e paqes dhe stabilitetit dhe bashkëpunim rajonal, Xhevahire Izmaku, deputete nga Kosova tha se “Duhet të përshpejtojmë proceset e paqes dhe të dalim me marrëveshjepërfundimtare të paqes që do t’i jepnin fund historisë së armiqësive dhe do të hapnin një kapitull të ri të raporteve paqësore fqinjësore, pavarësisht humbjeve tragjike të cilat nuk mund të harrohen.”
Të pranishmet vlerësuan marrëveshjen historike të arritur së fundmi ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth emrit, njëkohësisht kërkuan mbylljen e çështjeve tjera të hapura brenda rajonit, për hir të paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian.
Ato gjithashtu theksuan rëndësinë e angazhimit të grave në proceset e ndërtimit të paqes në nivele lokale , sepse ndërtimi i përgjithshëm i paqes duhet të bëhet në një proces shumënivelësh dhe gjithëpërfshirës. Me këtë rast, u kërkua rritja e bashkëpunimit ndërmjet grave në politikë dhe shoqëri civile. Pjesëmarrja në rritje e grave në parti politike shihet si një rrugë drejt vendimmarrjes dhe drejt mbështetjes më të madhe financiare për fuqizimin e grave në ndërtimin e paqes. Flora Macula, Drejtoreshë e UN Women në Kosovë theksoi se “Instrumentet ligjore të OKB-së, duke përfshirë rezoluta të shumta dhe zotimet e përsëritura nga udhëheqësit e OKB-së në mbështetje të barazisë së grave në proceset e paqes, shënon një momentum të ri që duhet shfrytëzuar me qëllim arritjen e përparimit në fuqizimin e grave. Kjo është arsyeja pse gratë duhet të jenë proaktive në avancimin e agjendës së grave për paqen dhe sigurinë”
Konferenca u financua nga Qeveria Suedeze dhe Ambasada e saj në Kosovë, dhe u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin për Qeverisje Gjithëpërfshirëse (CIG). Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Z. Henrik Nilsson, iu drejtua konferencës rajonale (nëpërmjet Skype), ku edhe u zotua për një mbështetje të plotë për fuqizimin e grave në proceset e paqes dhe vendimmarrjes në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Më shumë gra të përfaqësuara në dialog dhe vendimmarrje nënkupton rezultate më të mira dhe më të qëndrueshme”, tha ambasadori Nilsson.
Kjo konferencë rajonale pasoi tryezat e mëparshme, duke avancuar arritjet e mëparshme, me synim për fuqizimin e mëtejshëm të rolit të grave në dialogun rajonal, tryezat e negocimeve për ndërtimin e paqes përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet grave udhëheqëse në politikë nga një spektër më i gjerë politik nga vendet e lartpërmendura të RWLSEE. Fuqizimi i grave në qeverisjen demokratike dhe ndërtim të paqes në të gjithë rajonin, si dhe në ndërtim të paqes në nivel vendi, thelbësore si për paqe dhe siguri gjithëpërfshirëse, u trajtua nga të gjitha panelet e kësaj konference.
Pjesëmarrëse në konferencë ishin: Edita Tahiri, Kryetare e RWLSEE/Ish-Ministre për Dialog dhe Kryenegociatore, Kosovë; Nada Drobnjak, Anëtare e Komitetit Drejtues të RWLSEE dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Barazi Gjinore, Mali i Zi; Gordana Sobol, Anëtare e Komitetit Drejtues të RWLSEE/Ishdeputete dhe Kryetare e Komisionit për Mandate dhe Imunitet, Kroaci; Irina Pockova, Anëtare e Komitetit Drejtues të RWLSEE/Kryesuese e Kapitullit për Gravtë të Partisë SDA, Maqedoni; Nataša Mićić, Anëtare e RWLSEE/deputete dhe Kryetare e Këshillit Politik, LDP, Serbi; Ismeta Dervoz, Anëtare e RWLSEE; Ish-deputete dhe anëtare e Komitetit për Barazi dhe Mosdiskriminim të Këshillit të Evropës, Bosnjë dhe Hercegovinë; Deputete nga Serbia: Marija Obradović (SNS), Stefana Miladinović (SPS), Gordana Čomić (DS); Deputetet nga Kosova: Xhevahire Izmaku (PDK), Hykmete Bajrami (LDK); Time Kadrijaj (AAK), Flora Macula, Drejtoreshë e Zyrës së UN Women për Kosovë dhe Diana Çekaj-Berisha, UN Women/Koordinatore e RWLSEE; Henrik Nilsson, ambasador i Suedisë në Kosovë (prezantim nëpërmjet një video-konference).