Paqëndërtimi lokal – 21 Shtator 2019 – Prishtinë, Kosovë Download

Eventet e përzgjedhura, Ngjarjet

Komunikatë për shtyp

(Prishtinë, 27 shtator 2019) – Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, gratë theksuan se një pjesëmarrje domethënëse e grave në ndërtimin e paqes lokale çon në paqe të përgjithshme të qëndrueshme. Ato bënë një thirrje të fortë për të përmirësuar fuqizimin e grave në ndërtimin e paqes dhe marrjen e vendimeve në nivele lokale, duke deklaruar se gratë janë udhëheqëse të paqes, të cilat kontribuojnë për një të ardhme më të mirë. Ato janë të afta të tejkalojnë linjat politike dhe etnike për avancimin e synimeve të përbashkëta për një jetë më të mirë në paqe, demokraci, zhvillim dhe harmoni në komunat shumë-etnike, që është shumë e nevojshme në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tryeza e rrumbullakët rajonale me titull “Ndërtimi i paqes në nivelin e komunitetit në Kosovë”, e mbajtur më 21 shtator 2019 në Prishtinë, e organizuar nga Lobi Rajonal i Grave në Evropën Jug-Lindore (LRGEJL) dhe UN Women Kosovë, me mbështetje nga Qeveria Suedeze dhe Ambasada Suedeze në Kosovë. Pjesëmarrës ishin përfaqësues të grave lokale nga komunat shumë-etnike në Kosovë, gra kryetare komunash nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, anëtarë të Komitetit Drejtues të LRGEJL, OSHC, përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Ambasadës së Suedisë në Kosovë, UN Women dhe Agjencive të tjera të KB në Kosovë.

Folësit kryesorë përfshinin Edita Tahiri, Kryetare e LRGEJL, Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e KB në Kosovë, Karin Henmarck Ahliney, Ambasadore Suedeze në Kosovë, dhe Vlora Tuzi Nushi, Shefe e zyrës së UN Women në Kosovë. Ato bënë fjalime frymëzuese dhe shumë inkurajuese në mbështetje të fuqizimit të grave dhe barazisë gjinore, duke bërë thirrje për gjithëpërfshirje gjinore në ndërtim të paqes dhe të qeverisjes, dhe duke theksuar nevojën për të rivendosur lidhjen që mungon midis përpjekjeve të nivelit lokal dhe kombëtar për ndërtimin e paqes, prosperitetin dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë.

Kjo tryezë e rrumbullakët Rajonale siguroi një platformë për dialog me gratë nga komunitete të ndryshme, në të cilat ato diskutuan problemet e zakonshme me të cilat përballen, ndërsa nënvizuan se dialogu forcon besimin ndëretnik midis tyre dhe krijon një hapësirë për gratë për të dialoguar me autoritetet lokale dhe kombëtare. Gratë ndanë vizionet, përvojat, sfidat dhe sukseset e tyre dhe ranë dakord për qëllimet e përbashkëta. Ato identifikuan pengesat që pengojnë proceset e ndërtimit të paqes dhe pajtimin, ndërsa bashkërisht ranë dakord të ju rezistojnë. Ato ndanë politika dhe veprime konkrete me autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare që ishin të pranishëm në takim, si dhe hapa konkretë që gratë mund të ndërmarrin për të arritur qëllimet e identifikuara. Perspektiva rajonale për sfidat lokale për ndërtimin efektiv të paqes u diskutua nga gratë kryetare nga rajoni dhe anëtarët e Komitetit Drejtues të LRGEJL, të cilat gjithashtu ndanë praktikat më të mira nga rajoni. Ky aktivitet gjithashtu shërbeu si një mundësi për gratë kryetare komunash nga rajoni për të bashkëpunuar dhe për të sjellë përpara rrjetëzimin rajonal dhe Asociacionin e Grave Kryetare në Ballkanin Perëndimor.

Gratë – pjesëmarrëse dolën me një deklaratë të përbashkët, duke përshkruar pesë rekomandimet kryesore, si më poshtë:

Deklarata e përbashkët dhe pesë rekomandimet kryesore

Pjesëmarrësit shprehën shqetësime për paqen dhe sigurinë e brishtë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, për shkak të institucioneve të dobëta demokratike, sundimit të ligjit, korrupsionit rritjes së ulët ekonomike, ndarjeve etnike dhe mosbesimit, mungesës së përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me dialog të ngecur për dy vjet midis Serbisë dhe Kosovës, dhe vonesat në integrimin evropian dhe euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Konteksti aktual i paqes dhe sigurisë me brishtësinë e tij kërcënon të ketë efekte negative në mënyrë disproporcionale tek gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara, përfshirë pakicat, personat me aftësi të kufizuara dhe migrantët.

Roli i grave lokale mbetet i nënvlerësuar dhe ato mbeten të mënjanuara nga proceset e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrja për të ardhmen e komuniteteve dhe vendeve tona. Pjesëmarrja e ulët e grave lokale gjithashtu rrjedh nga “lidhja që mungon” midis ndërtimit të paqes lokale dhe kombëtare, sepse duket se qeveria qendrore dhe aktorët politikë janë më pak të interesuar të kontribuojnë për paqen në nivelin lokal. Si pasojë, hapësira është aq e kufizuar për gratë që punojnë për paqen në komunitetet e tyre për të pasur dialog me vendimmarrësit në nivelin kombëtar.

Gratë nga i gjithë rajoni, përfshirë nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria theksuan se është thelbësore të kalohet përtej angazhimeve, dhe që proceset e paqes gjithëpërfshirëse gjinore të bëhen realitet.
Meqenëse ndërtimi i paqes është ende një proces i papërfunduar, procesi i paqes, stabilitetit dhe demokracisë së qëndrueshme në rajon ka nevojë për një punë të plotë, kryesisht në nivelet lokale dhe në fushat vijuese.

Së pari, ekziston nevoja për një komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me gra te të gjitha grupeve në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në punën me të rinjtë dhe gratë e reja, pasi janë ata që do të jetojnë në paqe që aktualisht po ndërtohet. Në mënyrë që të kemi një ndërtim të vazhdueshëm paqeje, duhet të ketë një bashkëpunim të vazhdueshëm midis grave udhëheqëse me gjeneratën e re, në mënyrë që të përgatitet udhëheqja e re dhe t’i vendosë ata në zemër të paqes, përmes takimeve më të shpeshta me të rinj nga rajoni.

Së dyti, ka nevojë për të punuar në edukimin e vazhdueshëm, të vajzave dhe grave të reja që janë të përfshira dhe që kuptojnë procesin e ndërtimit të paqes. Pjesëmarrësit gjithashtu theksuan nevojën për të forcuar dhe përfshirë gratë e reja nga grupe të ndryshme në këtë temë (jo vetëm gra të angazhuara në parti politike, por edhe gra nga shoqëria civile, media dhe shoqata të tjera) në mënyrë që të krijojnë një platformë të mirë për punën e përbashkët të ardhshme.

Së treti, pasi që korniza ligjore në Kosovë dhe rajon është mjaft e mirë, ende ka probleme me zbatimin e saj. Për këtë, pjesëmarrësit rekomanduan që të shndërrohet në realitet situata aktuale deklarative përmes thirrjes për të drejtat dhe detyrimet të parashikuara me ligj, dhe presionit të pushtetit vendor dhe komuniteteve lokale që të kryejnë punët e tyre, pasi detyra e tyre është të zgjidhin probleme të tilla si shërbimet shoqërore që mungojnë, ose që janë të keq-menaxhuara.

Së katërti, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, së bashku me shkëmbimin e përvojave të mira, takimin me gra të fuqishme që jo vetëm që do të shërbejnë si një model për ta, por ndoshta do të bëhen mentorët e tyre në të ardhmen, dhe kështu do t’u japin atyre guxim dhe fuqizim në proces të ndërtimit të paqes dhe pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.

Së pesti, pjesëmarrësit propozuan një model për t’u krijuar, i cili do të shërbejë si një urë komunikimi midis grave, në mënyrë që të gjitha gratë pavarësisht rajonit nga vijnë, të mund të informohen ose për ngjarjet aktuale ose nga ku mund të përfshihen ose të marrin pjesë, dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë më shumë në punën e përbashkët.

Përveç këtyre pesë rekomandimeve, pjesëmarrësit shprehën gjithashtu vullnetin e tyre për të promovuar më tej histori dhe projekte të rëndësishme të cilat ato i përkrahin, dhe përkushtimin e tyre për të zgjeruar rrjetet edhe me gra nga zona të tjera.

Më në fund, ato na kujtuan se stabiliteti dhe demokracia duhet të shkojnë bashkërisht, siç u tha në hapjen e konferencës.

Lobi Rajonal i Grave në Evropën Jug-Lindore (LRGEJL) vazhdimisht avokon për bashkëpunim të zgjeruar midis grave nga Ballkani Perëndimor dhe fuqizimin e rritur të grave në qeverisjen demokratike dhe proceset e ndërtimit të paqes.

Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni Diana Cekaj-Berisha, Koordinatoren e LRGEJL, në e-mail: coordinator@rwlsee.org

Postimet e ngjajshme