17.11.2018
DEKLARATA E LRGEJL BËN THIRRJE PËR PJESËMARRJE TË BARABARTË TË GRAVE NË NDËRTIMIN E PAQES, BISEDIMET PËR PAQE, SIGURI DHE DREJTËSI
Deklaratat
Edita Tahiri, Kryesuese e LRGEJL
DEKLARATA E LRGEJL BËN THIRRJE PËR PJESËMARRJE TË BARABARTË TË GRAVE NË NDËRTIMIN E PAQES, BISEDIMET PËR PAQE, SIGURI DHE DREJTËSI
Konferenca Ndërkombëtare, Stamboll, Turqi, 16 nëntor 2018
Gratë politikane, anëtaret e parlamenteve, diplomate dhe përfaqësuese të shoqërisë civile nga i tërë Ballkani Perëndimor së bashku me UN Women kanë bërë një thirrje të fuqishme për pjesëmarrje të barabartë të grave në proceset e paqes dhe sigurisë.
Konferenca e mbajtur në Stamboll më 16 nëntor 2018 theksoi përfaqësimin e vogël të grave në ndërtimin e paqes dhe në qeverisjen demokratike në Ballkan. Gratë i shkëmbyen vizionet, përvojat, sfidat dhe sukseset e tyre dhe u pajtuan për qëllime të përbashkëta. Ato identifikuan barriera të cilat i pengojnë proceset e ndërtimit të paqes dhe pajtimit, derisa u dakorduan t’u bëjnë ballë atyre.
Pjesëmarrësit i shprehën shqetësimet e tyre lidhur me sfidat aktuale të sigurisë në rajon dhe bënë thirrje për reagim urgjent.
Pjesëmarrësit u pajtuan që paqja, stabiliteti dhe integrimi në BE është i nevojshëm për ta parandaluar rritjen e këtyre trendeve negative. Gratë nga vendet si Kroacia, Kosova, Bosnja, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia anëtare të LRGEJL dhe gratë parlamentare theksuan se është qenësore të shkohet përtej angazhimeve dhe të bëhen proceset e paqes me gjithëpërfshirje gjinore realitet.
Konferenca ofroi një platform për dialog ndërmjet grave parlamentare nga Kosova dhe Serbia për t’i shkëmbyer pikëpamjet lidhur me fazën finale të dialogut të Brukselit. Parlamentaret bënë thirrje për gjithëpërfshirje të grave në tavolinën e negociatave, ndërkohë që theksuan se marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një që siguron paqe të qëndrueshme në rajon.
Ndërtimi i paqes vendore përmes fuqizimit të grave u konsiderua vendimtar për konsolidimin e paqes dhe prosperitetit, prandaj pjesëmarrësit rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar punën për ndërtim të plotë të paqes. Bashkëpunimi rajonal i grave është një forcë shtytëse për ndërtimin e paqes vendore, pajtimit, zhvillimit dhe integrimit Evropian.
Konferenca poashtu adresoi rëndësinë e Qasjes në Drejtësi për Gratë dhe Drejtësinë Tranzicionale me fokus në gratë e mbijetuara nga Dhuna Seksuale e Ndërlidhur me Konfliktin (DhSNK) duke cekur se për paqe të qëndrueshme duhet të vendoset Drejtësia Ndërkombëtare dhe të ndëshkohen autorët e krimit. Qasja në Drejtësi për të Mbijetuarat e DhSNK është një prioritet urgjent për gratë në të gjithë Ballkanin. LRGEJL po ndihmon në krijimin e një rruge të unifikuar drejt drejtësisë dhe fuqizimit.
Gratë diplomate që morën pjesë në konferencë u përgëzuan për përpjekjet e palodhshme dhe përkushtimin për të avancuar barazinë gjinore dhe për të nxitur një të ardhme në të cilën gratë dhe burrat do të qëndrojnë krah për krah për të arritur dhe ruajtur stabilitetin dhe paqen. Ato u inkurajuan të qëndrojnë në këtë drejtim dhe ta vazhdojnë misionin fisnik e paqeruajtës.
Të gjithë inkurajuan zbatim efektiv të rezolutave të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Konferenca u organizua nga LRGEJL dhe UN Women me përkrahjen bujare të Qeverisë Suedeze dhe Agjencive të OKB-së në Kosovë.
Pas një debati shumë të pasur, konstruktiv dhe progresiv, pjesëmarrëset u pajtuan për deklaratën e mëposhtme:
DEKLARATË
1. Pjesëmarrje domethënëse e grave në ndërtimin e paqes në Ballkanin Perëndimor:
- Paqja në Ballkanin Perëndimor nuk duket e qëndrueshme, jo vetëm sepse ende ka tensione ndëretnike dhe çështje të pazgjidhura bilaterale por edhe për shkak se ekzistojnë sfida të reja të karakterit ndërkombëtar duke përfshirë ambiciet gjeopolitike, flukset e imigrimit apo ekstremizmin e dhunshëm, që nuk lejojnë të konsolidohen arritjet e mëhershme drejt paqes
- Ballkani mbetet i ballafaquar me paqe të papërfunduar, demokraci të brishtë, siguri të brishtë, korrupsion, papunësi. Çështja e largimit të personave të shkolluar është duke ndikuar në tërë rajonin, që është humbje e kapaciteteve që vështirëson planifikimin dhe punën për zhvillim dhe prosperitet. Pabarazitë vazhdojnë në shumë aspekte dhe pabarazia gjinore është veçanërisht brengosëse. Për më tepër, vonesat në integrimin evropian dhe euro-atlantik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë vënë rajonin në udhëkryq.
- Ne inspirohemi nga Marrëveshja Paqësore mes Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me çështjen e emrit, që është një hap i rëndësishëm përpara për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në të ardhmen evropiane
- Ne jemi duke e pritur finalizimin e Marrëveshjes Paqësore mes Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së dhe me përkrahjen e SHBA-ve, që do të ishte kontribut kyç për paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe Evropë.
- Ne konsiderojmë se pjesëmarrja e grave në vendimmarrje, ndërtim të paqes dhe tryeza të bisedimeve mund të rezultojë në më shumë paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ne bëjmë thirrje që gratë duhet të luajnë rol kyç në procesin e vendimeve lidhur me paqen dhe zbatimin e paqes dhe për t’u siguruar se paqja është e qëndrueshme. Ka ardhur koha që të dalim në ballë aty ku janë duke u marrë vendimet e mëdha.
- Nënpërfaqësimi dramatik në bërjen e paqes, bisedimet për paqe dhe në ndërtimin e paqes nuk mund të tolerohet më. Një statistikë shokuese se 2% e grave aktualisht shërbejnë si ndërmjetësuese, pas kaq shumë vitesh të miratimit të rezolutës 1325, flet vetë.
- Ne konsiderojmë se logjika dhe arsyeja demokratike bëjnë thirrje për gratë në tryezën e paqes apo në çdo sferë të jetës. Megjithatë këto nuk janë përkthyer në realitet. Mungesa e jashtëzakonshme e grave në negociatat zyrtare të paqes zbulon një boshllëk shqetësues midis aspiratave dhe realitetit të proceseve të paqes. Prandaj, ne kërkojmë që ky realitet të ndryshojë në favor të balancit gjinor. Është koha të kalojmë nga letrat dhe angazhimet në vepra.
- Ne u bëjmë thirrje grave të marrin role në udhëheqësi në drejtimin e ndryshimeve për të ardhme më të mirë në rajon dhe më tej. Kontributi i grave për të bërë ndryshime nga lufta në paqe në Ballkan njiihet në masë të madhe. Këto gra janë lidere dhe aktiviste, ndërkohë që puna e tyre dëshmon udhëheqësi për tërë rajonin dhe shërben si shembull nga i cili mund të mësojmë.
- Ne fuqishëm bëjmë thirrje për pjesëmarrje domethënëse të grave në vendimmarrje, përfshirje në të gjitha proceset e ndërmjetësimit dhe ndërtimit të paqes, si dhe në përfshirjen e vizionit të grave dhe sidomos nevojave të grave në proceset e ndërtimit të paqes në të gjitha nivelet e procesit.
- Gratë përfaqësohen në parlament deri në një masë por jo në nivel qeveritar. Ne u bëjmë thirrje grave të angazhohen shumë më shumë në përpjekje klasike të fuqisë për të arritur balanc të fuqisë gjinore, që kërkon të luftohet më shumë brenda partive.
- Të vetëdijshëm për mungesën e demokratizimit të mjaftueshëm të partive politike ose të një grupi të ndryshëm vlerash mes burrave dhe grave dhe të vetëdijshëm se gratë e Ballkanit përballen me sfida sa i përket vendimmarrjes sepse peisazhi i përgjithshëm është se burrat e bëjnë luftën por edhe i bëjnë bisedimet për paqe, ne bëjmë thirrje për përfshirje më të madhe të grave në partitë politike dhe bëjmë thirrje për më shumë etikë në qeverisje dhe karshi barazisë gjinore.
- Në natën e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 dhe 25 vjetorit të Platformës së Pekinit, duhet të dëshmohet shtysa dhe gatishmëria e qeverive përderisa vullneti i tyre politik duhet të vihet në veprim për avancim domethënës të barazisë gjinore dhe fuqizim gjithpërfshirës të grave. Organizatat ndërkombëtare dhe rajonale duhet t’u përgjigjen më efektivisht këtyre qëllimeve, pasi fjalët dhe angazhimet nuk janë të mjaftueshme.
- LRGEJL dhe gratë anëtare të parlamentit në rajon në bashkëpunim të përbashkët po investojnë shumë për një të ardhme më të mirë dhe paqësore të vendeve tona dhe të gjithë rajonit. Ajo ka treguar kapacitete të pabesueshme të udhëheqjes së grave, por ne kërkojmë më shumë mbështetje për gratë, duke qenë se ato janë pasuri strategjike për më shumë zhvillim, demokraci dhe paqe.
2. Gratë në tryezën e bisedimeve paqësore, dialogu i Brukselit dhe roli i grave
- Rajoni i Ballkanit është lënë pas në drejtim të përfshirjes së grave në tryezat e bisedimeve për paqe, pavarësisht nga historia e luftërave dhe konflikteve në dekadën e fundit të shekullit të 20-të. Në pesë proceset ndërkombëtare të paqes që përfunduan luftëra në Ballkanin Perëndimor gjatë 30 viteve të fundit, në tryezën e negociatave ndërkombëtare ishte vetëm një grua, e cila është Kryesuesja e LRGEJL.
- Duke pasur parasysh se Dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i mundësuar nga BE, po hyn në fazën përfundimtare, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve për pjesëmarrje kuptimplotë të grave në tryezën negociuese, si një gjë demokratike dhe e drejtë për t’u bërë, duke nxitur marrëveshje të përgjegjshme gjinore për paqen.
- Ne e mbështesim Dialogun e Brukselit dhe bëjmë thirrje për marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke mbyllur kapitullin e armiqësive dhe duke hapur kapitullin e paqes. Brezat e rinj të të dyja vendeve duhet të lirohen nga barra e së kaluarës dhe të jenë të lira ta ndërtojnë të ardhmen e tyre.
- LRGEJL si mbështetëse dhe nxitëse e dialogut, dhe në veçanti e dialogut të Brukselit do të vazhdojë të luajë një rol në përfshirjen e grave në të gjitha nivelet e këtij procesi paqësor, duke theksuar se paqja e qëndrueshme vjen nga angazhimi si në proceset formale ashtu edhe në proceset joformale të paqes, në të gjitha fazat e arritjes dhe zbatimit të marrëveshjes.
- Ne konsiderojmë se paqja duhet të ndërtohet në nivele të ndryshme, duke shkuar përtej politikës së nivelit të lartë, por duke përfshirë edhe qytetarët e zakonshëm në nivelin e komunitetit. Dhembshuria (empatia) po aq sa përforcimi dhe inkurajimi i njëra-tjetrës si gra është thelbësore. Gratë duhet të përfshihen më shumë në marrëveshjet e paqes, pasi që ato janë shtyllat e familjes dhe ato e kuptojnë paqen dhe kanë nevojë ta vënë këtë në funksion në këtë proces.
- Ne kërkojmë më shumë mbështetje për ndërtimin e besimit të ndërsjellë përmes dialogut ndëretnik dhe ndërveprimit midis grave politikane/parlamentare nga Kosova dhe Serbia të organizuar nga LRGEJL, duke konsideruar se do të jenë të dobishme për progresin në dialogun e mundësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (Dialogut të Brukselit), zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe proceseve të integrimit në BE; duke lehtësuar tensionet dhe duke përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore midis dy vendeve.
- Ne u bëjmë thirrje grave të jenë më të zhurmshme dhe të jenë aktore të ndryshimit, në mënyrë që të dëgjohen dhe të përfshihen në bisedime dhe dialogje. Kjo duhet të bëhet në mënyrë që politikanët e nivelit të lartë të mos harrojnë ose injorojnë jetën e njerëzve të zakonshëm dhe grave në veçanti.
3. Bashkëpunimi rajonal në përkrahje të Ndërtimit të Paqes Vendore
- Ne konsiderojmë se për ndërtimin e paqes së qëndrueshme është shumë e rëndësishme të zhvillohet një ndërtim efektiv i paqes vendore, i cili mund të jetë i suksesshëm vetëm kur vjen nga brenda dhe nxitet nga vetë njerëzit, duke e pranuar një qasje nga poshtë lart.
- Zhvillimi i agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë (GPS) dhe një qasje rajonale në mbështetje të ndërtimit të paqes vendore bazuar në ndarjen e përvojës në nivel rajonal në mjedise pas konfliktit, e realizuar nga LRGEJL në bashkëpunim me gratë parlamentare, paraqet një strategji unike për të promovuar paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, ajo duhet të mbështetet nga donatorë ndërkombëtarë dhe nga qeveritë kombëtare.
- LRGEJL luan një rol kyç në sigurimin e një platforme për t’i theksuar disa nga shqetësimet që janë paraqitur nga gratë vendore të komuniteteve të ndryshme në këto konsultime në nivel lokal dhe për t’i bërë më të njohura disa nga këto çështje. Iniciativat e LRGEJL për ndërtimin e paqes deri tani janë kryer me sukses me mbështetjen e Qeverisë Suedeze, në dhjetë komuna multietnike në Kosovë. LRGEJL planifikon të përfshijë Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Maqedoninë në të ardhmen. Ne mbështesim planet për zgjerimin e gjeografisë së aktiviteteve të tilla në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse është momenti i duhur për t’u përqëndruar në ndërtimin e paqes nga poshtë lart.
- Kuptimi i përmirësuar për lidhjen e përpjekjeve për ndërtimin e paqes në nivel rajonal, kombëtar dhe lokal me iniciativa më të gjera politike (pista 1)/proceset e paqes është po aq esenciale sa sfondet e shumëllojshme dhe të ndryshme, duke përfshirë artet/gazetarinë/ akademinë/biznesin, përtej aspekteve të nivelit politik për arritjen e paqes. Në këtë kontekst, idetë për ndërtimin e urave dhe për përdorimin e urave do të jenë qendra e fokusit tonë. LRGEJL dhe gratë parlamentare do të mbështeten në idetë e realizuara nga artistët në urën e Mitrovicës, për të bërë progres duke e përfshirë Urën e Mostarit. Komunitetet janë duke jetuar pranë njëri-tjetrit, ne do të punojmë që ata të jetojnë me njëri-tjetrin.
- LRGEJL në periudhën e ardhshme do të fokusohet në fuqizimin e grave për ndërmjetësimin lokal në mbështetje të ndërtimit të paqes vendore, që është një komponent i rëndësishëm i procesit të përgjithshëm të ndërtimit të paqes. Gratë luajnë një rol si ndërmjetësuese lokale në ndërtimin e paqes së përditshme, por trajnimet për ngritjen e kapaciteteve do t’i ndihmojnë ato ta përmirësojnë performancën e tyre duke mësuar nga teoria dhe praktikat më të mira në këtë fushë. Ndërmjetësimi lokal nga gratë paraqet një lloj diplomacie të dytë që ndihmon në zgjidhjen e konflikteve, në ndërtimin e paqes dhe në pajtimin horizontalisht; përkatësisht ndërtimin e paqes në nivelet bazë – qasja “nga poshtë lart” e ndërtimit të paqes.
4. Qasja në Drejtësi për gratë në Ballkanin Perëndimor
- Duke pasur parasysh se gratë vazhdojnë të diskriminohen në qasjen në drejtësi dhe sidomos në drejtësinë tranzicionale, u bëjmë thirrje të gjithë akterëve kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar që të bëjnë shumë më tepër në këtë drejtim, sepse kjo është një nga shtyllat e arritjes së paqes së qëndrueshme në Ballkan.
- Qasja në drejtësi është e drejtë themelore e njeriut e përshkruar nga shumë instrumente të të drejtave të njeriut të OKB-së, gjithashtu në kapitullin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, ajo duhet të zbatohet kryesisht në nivel shtetëror, prandaj shtetet kanë përgjegjësinë dhe detyrimin për të siguruar që kjo e drejtë të përfshihet në kushtetuta dhe të garantojë qasje në drejtësi si një e drejtë themelore. Secili individ duhet të ketë qasje në institucionet e gjykatës dhe të mbrohet nga çdo lloj dhune ose lëndimi.
- Duke pranuar shumë përparime në drejtësinë penale ndërkombëtare, ne jemi thellësisht të shqetësuar për shumë pengesa. Kjo lidhet veçanërisht me krimet e dhunës seksuale në kohë konflikti, e cila kryesisht mbetet një tragjedi e fshehur. Drejtësia vihet në vend kur krimet përmenden saktësisht dhe kriminelët ndëshkohen në mënyrë që bota të dijë natyrën unike të dëmit që është shkaktuar kur dhuna seksuale kryhet në konflikte. Ne fuqimisht kërkojmë angazhim dhe gatishmëri më të madhe nga autoritetet ndërkombëtare dhe shtetërore për ta adresuar atë siç duhet.
- Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht OKB-së, që të adresojë çështjen e drejtësisë ndërkombëtare ndaj të mbijetuarve të dhunës së ndërlidhur me konfliktin (MDhNK) në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë dhe Kroaci në kohë lufte mes viteve 1991-1999, sepse ky krim kundër njerëzimit nuk duhet të mbetet i fshehur, por në të kundërtën duhet të vihet në dukje që viktimat ta ndiejnë drejtësinë ndërsa kriminelët të mos mbeten të pandëshkuar. LRGEJL kërkoi që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së të marrë përsipër këtë çështje në një letër të dërguar vitet e fundit dhe do të vazhdojë të kërkojë derisa të vendoset drejtësia për gratë që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në rajonin tonë.
- Drejtësia Tranzicionale është drejtpërdrejt e lidhur me paqen dhe pajtimin në rajonin e Evropës Juglindore, po ashtu është ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë për njëri tjetrin, dialogun e ndërsjellë dhe bashkëpunimin, kështu që LRGEJL do të mbetet e angazhuar të punojë për të, në mënyrë që zëri të dëgjohet për zbatimin e Rezolutës 1325 të KS të OKB-së dhe rezolutave të tjera pasuese.
- Ne do të punojmë fort për ta çrrënjosur stigmën që ekziston rreth MDhNK, e cila nuk është organike dhe nuk rritet organikisht nga të mbijetuarit, por imponohet nga komuniteti, familja dhe sistemi ligjor. Të mbijetuarat duhet të mbrohen si nga aspekti ligjor ashtu edhe nga aspekti social dhe jo të përshtaten me sistemin ligjor. Ne konsiderojmë se është përgjegjësi e sistemit ligjor t’u përshtatet atyre dhe të sigurohet që të mbijetuarat të jenë të fuqizuara përmes pjesëmarrjes së tyre në procesin e drejtësisë dhe riintegrimit social.
- Ne i bëjmë thirrje sistemeve të drejtësisë me përfshirje gjinore dhe të ndjeshme ndaj gjinive, në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Fusha aktuale e praktikës ligjore është shumë e dominuar nga meshkujt. Ka ardhur koha për ndryshime në favor të barazisë gjinore në drejtësi.
- Ne, LRGEJL dhe gratë parlamentare, rinovojmë angazhimet tona për t’i fuqizuar gratë për të luajtur një rol kyç në paqen e qëndrueshme, në zhvillim, pajtim, drejtësi, proceset e sigurisë dhe për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gratë janë aktualisht në fazën e luftimeve dhe ne do të fitojmë, pasi është e vetmja gjë e drejtë që ka kuptim në demokraci. Ka kaluar koha e vendimmarrjes nga njëra gjini për të ardhmen, sepse vendimet e tilla trajtojnë jetën e të gjithë neve, të gjithë shoqërisë dhe të të dyja gjinive.