27.01.2017
Deklaratë për media
Komunikatë për media
Radikalizimi i retorikës dhe marrëdhënieve në rajon, veçanërisht në mes të Serbisë dhe
Kosovës, mund të sjellë pasoja të padëshirueshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës seriozisht është vënë në pyetje për shkak të tensioneve të shkaktuara me trenin provokues nga Beogradi për në Mitrovicë, i cili është ndalur nga ana e autoriteteve të Kosovës, si dhe provokimeve tjera të cilat kanë ndodhur javëve të fundit.
Nuk duhet të harrojmë që dialogu deri më tash ka sjellë rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve, përkundër pengesave dhe vonesave. Secili incident apo provokim largon nga qëllimet e premtuara, gjë që shkon në dëm të njërës dhe tjetrës palë, përkatësisht në dëm të të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe të Kosovës.
Për këtë arsye dialogu është i pazëvendësueshëm dhe duhet të përtërihet sa më shpejtë. Po ashtu është e domosdoshme, jo vetëm vetëpërmbajtja, por edhe sjellja e përgjegjshme dhe konstruktive e të gjithë akterëve politik.
LRG EJL përkrah çdo përpjekje të sinqertë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, si mënyra e vetme për paqe të qëndrueshme dhe hapje të perspektivës për të dyja vendet dhe për rajonin drejt Integrimeve Evropiane.
Anëtaret e Lobit Rajonal të Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore LRG EJL:
Shqipëri: Marieta Zaҫe, Eglantina Gjermeni, Majlinda Bregu
Bosnjë dhe Hercegovinë: Memnuna Zvizdić, Meliha Alić, Nada Teśanović, Ismeta Dervoz
Mali i Zi: Nada Drobnjak, Slavica Striković, Ljubomirka Mira Asovic
Kroaci: Grodana Sobol, Morana Palikovic Gruden, Lovorka Marinović
Kosovë: Edita Tahiri, Luljeta Vuniqi, Teuta Sahatqija
Maqedoni: Irina Pockova, Teuta Arifi, Savka Todorovska,
Serbi: Sonja Biserko, Natasa Mičić, Liljana Radovanović, Stasa Zajović
Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (LRG EJL) është themeluar në vitin 2006 me përkrahjen e UNIFEM-it, tani UN Women. Lobi promovon përfaqësimin dhe veprimin politik, në mënyrë që të avancohet paqja dhe stabiliteti në rajon, duke e përfshirë edhe zbatimin e plotë të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit për gratë, paqen dhe sigurinë, e cila thërret për një përfaqësim më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Grupi përfshin anëtare nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Anëtaret e saj janë gra udhëheqëse të dalluara, duke përfshirë edhe politikane, anëtare të parlamentit të cilat mbajnë pozita të larta edhe në Qeveri dhe në publik si dhe përfaqësuese të shoqërisë civile.