DEKLARATA E TETOVËS Download

Deklaratat

Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (LRG EJL) e ka organizuar konferencën rajonale “Gratë në vendimmarrje në nivelin lokal/Roli i grave kryebashkiake si agjente potenciale të ndryshimeve” me 7 nëntor, 2016, në Tetovë, Maqedoni. Kjo konferencë rajonale është përkrahur nga UN Women dhe Ambasada Mbretërore e Norvegjisë në Prishtinë, Kosovë.

Përafërsisht 70 gra të shquara kryebashkiake, politikane dhe udhëheqëse nga shoqëria civile nga shtetet e Ballkanit perëndimor janë mbledhur në qytetin e Tetovës për të diskutuar dhe për t’u pajtuar mbi një sërë rekomandimesh në lidhje me atë se si t’a rrisin rolin e grave në procesin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe në vendimmarrje politike. Çështjet kryesore që u ngritën gjatë konferencës ishin: roli dhe sfidat e grave kryebashkiake në modernizimin e qyteteve; integrimi dhe vizioni i grave në çështjet vendore; rritja e kuotave gjinore; dhe promovimi i grave në pozitat menaxheriale dhe drejtuese. Theks i veçantë po ashtu i është dhënë diskutimit mbi rolin e  grave në luftën kundër terrorizmit, parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm dhe bashkëpunimit më të fuqishëm rajonal në mes të grave kryebashkiake.

Në mesin e pjesëmarrësve të rangut të lartë ishin edhe Znj. Edita Tahiri, Ministre për Dialog nga Kosova, Kryesuesja e  LRG EJL; E. T. Ambasadori Per Strand Sjaastad, Ambasada Norvegjeze në Kosovë; E.T. Ambasador Henrik Nilsson, Ambasada Suedeze në Kosovë; Znj. Teuta Arifi, Kryebashkiake e Tetovës, Maqedoni; Znj. Siret Elezi, Ministre e Vetëqeverisjes Lokale, Maqedoni; Znj.  Flora Macula, Kryetare e Zyrës UN Women, Kosovë; Znj. Louisa Vinton, Koordinatore e Përhershme e KB dhe përfaqësuese e UNDP-së, Maqedoni; Znj. Anastasija Olumčeva, Kryebashkiake e Bogdanci, Maqedoni; Znj. Mimoza Kusari-Lila, Kryebashkiake e Gjakovës, Kosovë; Znj. Amra Babić, Kryebashkiake e Visoko, Bosnjë & Hercegovinë; Znj. Florjana Koka, Kryebashkiake e Sarandës, Shqipëri; dhe Znj. Sonja Nikčević, Kryebashkiake e Nikshiqit, Mali i Zi.  

Pas një debati dinamik dhe konstruktiv gjatë konferencës, pjesëmarrësit bashkërisht e kanë pranuar Deklaratën e Konferencës duke theksuar dhe duke ftuar për rekomandimet kryesore si në vijim: 

  1. Ne e ndajmë mendimin e përbashkët se gjendja e grave është përmirësuar krahasuar me të kaluarën, mirëpo ne thërrasim për përkrahje shtesë për arritjen e qëllimit të barazisë së plotë në mes të grave dhe burrave në proceset e vendimmarrjes në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne e përkrahim numrin në rritje të grave kryebashkiake në rajon dhe po ashtu e përsërisim angazhimin tonë në vazhdimin e punës për fuqizimin e gruas në të gjitha vendet e rajonit.
  2. Ne bëjmë thirrje për të gjithë përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse që të vazhdojnë me krijimin e rrjeteve dhe me fuqizimin e  bashkëpunimit rajonal në mes të kryebashkiakëve dhe të të gjitha palëve tjera të interesit dhe të guxojnë të veprojnë jashtë kufijve politik.
  3. Ne pajtohemi që ta lansojmë një iniciativë për rrjetin rajonal të grave kryebashkiake në Ballkanin Perëndimor, duke u bazuar në modelin e LRG EJL. Ky rrjet rajonal  do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e eksperiencave, fuqizimin e ndërsjellë dhe inspirimin në mesin e grave kryebashkiake, që mund të kontribuojë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë në nivele lokale dhe nacionale.  
  4. Ne e vazhdojmë përkrahjen tonë të LRG EJL dhe grave kryebashkiake për t’i adresuar shqetësimet në lidhje me çështjet e ekstremizmit të dhunshëm në rajon. Ne besojmë që gratë mund ta luajnë një rol parësorë në parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. . Ne pajtohemi se definicioni i ekstremizmit të dhunshëm duhet të zgjerohet për të përfshirë jo vetëm ekstremizmin fetar. Ne u bëjmë thirrje strategjive institucionale dhe planeve të veprimit që ta rrisin rolin e gruas me qëllim të arritjes së një shoqërie më të sigurtë.
  5. Ne plotësisht përkrahim GPNG deklaratën e paqes dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm drejt një paqeje të qëndrueshme në botë.
  6. Ne i bëjmë thirrje LRG EJL të vazhdojë të jetë produktiv në adresimin e çështjeve vendimtare në rajon që kanë të bëjnë me gra  dhe të përpiqen për paqe, siguri dhe drejtësi në kuptimin politik, ekonomik dhe ndëretnik. 

Postimet e ngjajshme