Deklarata e Prishtinës Download

Deklaratat

LRGEJL dhe UN Women organizuan tryezën e rrumbullakët rajonale “Fuqizimi i Grave për Stabilitet Rajonal” më 9 dhjetor 2015 në Prishtinë, Kosovë. Kjo tryezë e rrumbullakët është përkrahur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Suedisë dhe Ambasada Suedeze në Kosovë përmes UN Women. 

Qëllimi i kësaj tryeze të rrumbullakët ishte që të diskutohet pozita e gruas dhe fuqizimi i tyre në Kosovë me fokus në minoritete. Pjesëmarrësit kanë diskutuar se si të rritet roli i grave në politikë e në proceset vendim-marrëse dhe paqësore, si dhe për atë se si të zhvillohet më tutje dialogu ndëretnik për avancimin e fuqizimit të grave. Qëllimi i gjithëmbarshëm ishte që të fuqizohet roli i grave në përshpejtimin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe vendeve tjera në Ballkanin Perëndimor.  

Pjesëmarrësit ishin gra politikane, pjesëtare të qeverisë dhe kuvendit nga Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia si dhe përfaqësuese të OSHC-ve, përfaqësuese të komunitetit pakicë nga Kosova dhe përfaqësuese të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.  

Pas debatit dinamik, konstruktiv dhe kreativ ndërmjet pjesëmarrësve dhe diskutimeve domethënëse e ideve të reja se si të fuqizohen gratë për avancimin e stabilitetit rajonal dhe integrimin Euro-Atlantik për të gjitha vendet në rajon, pjesëmarrësit kanë miratuar deklaratën dhe rekomandimet e përbashkëta si në vijim:    

FUQIZIMI I GRAVE:

  1. Pjesëmarrësit bëjnë thirrje për më shumë përkrahje për barazi gjinore dhe fuqizim të grave në proceset vendim-marrëse dhe paqësore në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në përputhshmëri me Rezolutën 1244 të KSKB-së dhe politikat e BE-së për barazi gjinore. Të shqetësuara vëmë në pah progresin jo të qëndrueshëm në fuqizimin e grave që mund të vërehet në ngritjet dhe rëniet e përfaqësimit të grave në qeveritë nacionale dhe te gratë kryetare të komunave që vështirë gjenden në shtetet në rajon.    
  2. Ne përkrahin kuotën dhe cilësinë në përfaqësimin e grave në qeveri në nivelin qendror dhe atë lokal, në të gjitha organet vendim-marrëse. Ishte kuota, edhe pse një mekanizëm artificial, që solli gratë në parlamentet e vendeve në rajon. Ne konsiderojmë që përdorimi i kuotës për përfaqësim të grave në institucionet qeveritare është mekanizëm i përkohshëm i domosdoshëm deri në transformimin e suksesshëm demokratik të shoqërisë. 
  3. Ne apelojmë për më shumë gra në parti politike dhe në lidership (duke përfshirë 30% të të gjithë kuotës). Ne fuqishëm besojmë se më shumë demokraci dhe multietnicitet në parti politike do të thotë më shumë mundësi për fuqizimin e grave.  
  4. Ne bëjmë thirrje për më shumë përkrahje për gratë nga komunitetet minoritare, për të siguruar pjesëmarrjen e tyre në politikë dhe në vendim-marrje dhe për t’u ndihmuar që të tejkalojnë barrierat e shumëfishta në rrugën e tyre drejt politikës. 
  5. Gratë duhet të marrin qasje pro-aktive dhe lidership në dialogun për shqetësimet politike, etnike dhe shoqërore. Gratë mund të marrin më shumë legjitimitet dhe autoritet politik, duke përdorur përparësitë e tyre krahasuese në shoqëri si promotorë të dialogut dhe zgjidhjes paqësore të dallimeve. Në veçanti duke u angazhuar në mënyrë aktive në ndihmën për të tejkaluar krizat e ndryshme politike në vendet e tyre.   

KOSOVA 

  1. Ne e urojmë Kosovën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në në tetor 2015, që shënon moment historik për integrimin e Kosovës në BE. Ne i bëjmë thirrje BE-së që të japë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës pa vonesë. Me të vërtetë është e padrejtë që të zgjatet izolimi i qytetarëve të Kosovës. 
  2. Ne përkrahim Dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i përkrahur nga SHBA-ja. Ne apelojmë tek të gjitha partitë që të punojnë për implementimin e vërtetë të të gjitha marrëveshjeve që do të ndihmojnë në avancimin e të dyja vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit Evropian. 
  3. Gratë në Kosovë duhet dhe mund të jenë agjentë të ndryshimit për tejkalimin e gjendjes politike të vështirë aktuale. Ne përkrahim demokracinë dhe lirinë e shprehjes së mendimeve të të gjithë individëve dhe grupeve duke përfshirë opozitën, por përdorimi i dhunës për qëllime politike është i pa justifikueshëm. Demokracia dhe sundimi i ligjit duhet të mbizotërojnë. Ne gjithashtu do donim të shihnim fundin e arrestimeve të njëpasnjëshme të kohëve të fundit për ata që përdorën dhunë në Parlamentin e Kosovës, në pajtueshmëri me ligjin. Ne dënojmë përdorimin e dhunës nga gratë parlamentare në kuvendin e Kosovës, që ka dëmtuar imazhin e grave politikane.   
  4. Ne përkrahim fuqizimin e grave nga minoritetet në Kosovë, dialogët ndëretnik të LRGEJL-së, duke përfshirë këtë të fundit, i shërbejnë qëllimit të krijimit të përkrahjes edhe për ato gjithashtu. 
  5. Bëjmë thirrje për përkrahje për gratë nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovën e veriut, të cilat kontribuojnë për demokraci, dialog dhe integrim të serbëve në sistemin dhe shoqërinë e Kosovës. 
  6. Me shqetësim vëmë në pah mos pjesëmarrjen në këtë konferencë të grave anëtare të kuvendit nga katër komunat veriore në Kosovë që janë ndaluar me intervenim të pavend politik nga kryetarët e këtyre komunave. Ne theksojmë që gratë duhet të shkojnë përtej agjendave politike për të ndihmuar agjendën e përbashkët të fuqizimit të grave. 
  7. Ne dënojmë incidentet kundër serbëve në fshatin Gorazhdec dhe i bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të krijojnë klimë sigurie, që të ndërmarrin masat e nevojshme për të hedhë dritë mbi këtë rast dhe për të sjellë kryerësit para drejtësisë. 
  8. Ne bëjmë thirrje për kthimin e shqiptarëve dhe serbëve në shtëpitë e tyre, në veri dhe jug të Mitrovicës, ndërkaq përkrahim lëvizjen e lirë në urë dhe normalizimin e ndërtimit të shtëpive për shqiptarët dhe serbët në fshatin Kroi i Vitakut dhe gjetiu. 

VENDET NË RAJON 

  1. Ne përgëzojmë progresin e arritur nga vendet në rajon në integrimin Euro-Atlantik. Nënshkrimin e MSA-së nga Kosova me BE-në, ftesën në NATO për Malin e Zi, bisedimet e Serbisë për aderim në BE, statusin e shtetit kandidat për Shqipërinë, dhe progresin për Bosnjën e Hercegovinën dhe Maqedoninë.  
  2. Me shqetësim vëmë në pah çështjet që ende mbesin të hapura në marrëdhëniet fqinjësore në Ballkan, që duhet të zgjidhet pa vonesë për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. 
  3. Ne bëjmë thirrje për konsolidimin e demokracisë, sundimit të ligjit, ekonomisë dhe punësimit dhe luftës së fuqishme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që do të përshpejtojë integrimin Euro-Atlantik për të gjitha vendet.
  4. Me shqetësim vëmë në pah situatën e rëndë politike në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe më parë në Mal të Zi. Ne konsiderojmë që mjetet demokratike dhe dialogu mund të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës dhe në sigurimin e të ardhmes më të mirë dhe prosperitetit. 

MINORITETET  

  1. Ne përkrahim demokracinë, zhvillimin dhe integrimin gjithëpërfshirës të minoriteteve jo vetëm në institucione, por edhe integrimin në shoqëritë e vendeve. Ne jemi kundër çfarëdo politike etnocentrike, autoritare dhe ndarëse në shtetet në rajon.  

BASHKIMI EVROPIAN

  1. I bëjmë thirrje BE-së që të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si mënyrë e sigurimit të stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, veçanërisht në këtë kontekst të ri të radikalizmit dhe ekstremizmit dhe dinamikave gjeopolitike të vendeve jo-perëndimore me të cilat shtetet Ballkanike nuk mund t’u përballen. 

LRG EJL

  1. Ne përkrahim punën dhe kontributin unik të LRGEJL në fuqizimin e grave dhe rolin e tyre të shtuar në ndihmën për ndërtimin e shtetit demokratik dhe krijimin e paqes në rajon. Ne i bëjmë thirrje LRGRJL-së që të vazhdojë të mbetet e përkushtuar dhe aktive për demokraci, dialog dhe integrim Euro-Atlantik ku roli i grave duhet të jetë kyç.  

Postimet e ngjajshme